“Isha në tren, kur papritmas, dikush erdhi mbi shpatullën time dhe më goditi me thikë”.
Ky është rrëfimi i futbollistit shqiptar Jonathan Gjoshe, i cili teksa kujton ngjarjet e llahtarshme të 1 nëntorit të vitit të kaluar. Vetëm pak javë pas fillimit të sezonit të tij të parë te “Scunthorpe United”, 23-vjeçari kishte udhëtuar nga Doncaster për në shtëpinë e tij në Londër. Por rreth një orë pas fillimit të udhëtimit, ndodhi e paimagjinueshmja. Gjoshe ishte midis 11 pasagjerëve të plagosur rëndë në një sulm me thikë në një tren ndërsa ai udhëtonte nëpër Cambridgeshire.
“Më goditën me thikë në shpatull fillimisht. Mbaj mend që kërceja mbi tavolinë, mbi karrige. Po vrapoja nëpër korridor, duke u thënë njerëzve: ‘Është një djalë me thikë, ikni, më kanë therur, ikni, ikni, ikni’. Po bërtisja. Mendoj se isha personi i parë që u ther. Ndjeva dhimbjen. Por adrenalina hyri brenda”, i thotë ai BBC Sport në një intervistë ekskluzive.
Gjoshe kujton se, pavarësisht paralajmërimit që u kishte bërë pasagjerëve të tjerë, disa menduan se ishte shaka në fillim, sepse një ditë më parë ishte festa e Halloween.
“Disa njerëz vrapuan, disa thjesht qëndruan aty, por unë mendova se ai po vinte për mua. E vetmja gjë që mendoja ishte të vrapoja për të shpëtuar jetën time, të zbrisja nga ai tren. Sapo zbrisja në vagonin e parë ose të dytë, aktivizova alarmin dhe isha thjesht i mbuluar me gjak. Mendoja se nuk do ta shihja më familjen time nëse vdisja, dhe ky ishte shqetësimi im kryesor. Normalisht do të kthehesha me makinë në Londër. Ishte hera e parë që hipja në tren për t’u kthyer. Sa mundësi ka që kjo të ndodhë? Është çmenduri”, rrëfen Gjoshe.
Treni bëri një ndalesë emergjente në Huntingdon ku u prit nga policë të armatosur. Pasi iu dha ndihma e parë nga një pasagjer tjetër, Gjoshe arriti të dilte vetë në parkingun e stacionit, nga ku ndihmësit mjekësorë e çuan me urgjencë në spital.
Vetëm pas operacionit ai mësoi se kishte pësuar shtatë plagë në biceps, shpatull dhe krah. Thika, iu tha nga mjekët, kishte kaluar nëpër muskul duke qenë shumë afër prekjes së një nervi në krahun e tij.
Kur u pyet nëse kishte frikë se karriera e tij si futbollist mund të mbaronte, ai tha: “Isha shumë i shqetësuar. Vetëm mendoja, ‘çfarë dëmtimi më ka ndodhur?’ Nuk kisha idenë derisa bëra operacionin. Ata thanë, ‘Nuk është shumë për shkak të nervit. Je shumë me fat’”.
Në ditët që pasuan, Gjoshe kujton: “Ata u detyruan të më zhvendosnin nga një repart në tjetrin për shkak të mediave që po vinin atje duke më kërkuar”.
Pasi doli nga spitali, Gjoshe iu nënshtrua disa muajsh rehabilitimi, duke u rikthyer në stërvitje të plotë vetëm në mars, diçka që ai e përshkruan si “një lehtësim të madh.
“Fillova të lëvizja krahun, ditë pas dite po përmirësohej. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme”, tha ai.
Pavarësisht se e përballoi atë që ka përjetuar me stoicizëm mbresëlënës, Gjoshe nuk ka hipur në tren që nga sulmi masiv me thikë.
“Nuk do ta doja tani. Nuk i dihet kurrë. Është më mirë të jesh i sigurt. Thjesht nuk mund t’i besoj asgjëje tani”, shprehet ai./ Top Channel
