Erion Veliaj ka firmosur shkarkimin e Rigers Sheqerit, kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, dhe Zhaneta Beqirit, drejtoreshë e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve.
Ndërkohë, Elona Lalaj, drejtoreshë e Policisë Bashkiake, raportohet se është në proces largimi nga detyra.
Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, ka firmosur shkarkimin e Rigers Sheqerit, i cili mbante detyrën e kryeinspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT).
Një tjetër zyrtare e larguar nga detyra është Zhaneta Beqiri, drejtoreshë e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve. Sipas informacionit të publikuar, vendimi për shkarkimin e saj është firmosur nga Veliaj dhe lidhet me pretendime për shkelje me dëme ekonomiko-financiare të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Në listën e ndryshimeve të pritshme përmendet edhe Elona Lalaj, drejtoreshë e Policisë Bashkiake.
Çështja e Lalajt është përmendur edhe nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë për Tiranën. Në deklaratën e tij, Rama iu referua largimit të saj nga detyra, duke e lidhur atë me faktin se nuk kishte pëlqyer dhe shpërndarë në rrjetet sociale postimet e kryebashkiakut.
“Po si mund largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si dhe të tjera e të tjerë, drejtues dhe punonjës në hierarkinë e bashkisë së Tiranës, pse nuk u bëjnë like e share dorëshkrimeve të Lalit nga burgu imagjinar politik apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij?
E përsëris, unë nuk e gjykoj dot Erionin për çfarë ai thotë dhe çfarë ai bën, por vetëm uroj me gjithë zemër që ai të kuptojë se është në gabim, ditë e natë, në raport me mua dhe në raport me Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Po ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në bashkinë e Tiranës që do ta zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë, qofshin anëtarë të kësaj familjeje, qofshin ‘’shërbëtorë’’ publikë pa parti si Elona Lalaj, apo qofshin edhe qytetarë demokratë që punojnë në radhët e mijëra e mijëra njerëzve në bashkinë e Tiranës.
E dimë të gjithë që mungesa e kryebashkiakut është një problem shumëplanësh për ecurinë e punëve të qeverisë vendore, të cilin ne do ta zgjidhim vetëm në 9 maj, me fitoren e Tiranës në ditën e madhe të Europës“, tha Rama në Asamblenë e kësaj të shtune.
