Aktuale

Erkand Qerimaj “shpërthen” pas Kampionatit Evropian: “Më anuluan provën e pastër, federata heshti”

Kampioni shqiptar i peshëngritjes Erkand Qerimaj ka reaguar ashpër pas përfundimit të garës në Kampionatin Europian, duke denoncuar një vendim që e cilëson si të padrejtë dhe mungesën e mbështetjes nga federata.

Sipas tij, në stilin e shkëputjes realizoi 152 kg dhe tentoi rekordin e Europës me 157 kg, duke qenë shumë pranë arritjes historike. Ndërsa në shtytje ngriti 184 kg, një provë që fillimisht u vlerësua e rregullt me tre drita të bardha nga gjyqtarët
Megjithatë, juria vendosi më pas ta anulojë provën për shkak të një lëkundjeje minimale, vendim që kampioni e cilëson si “padrejtësi të pastër dhe të turpshme në mes të Europës”.

Përtej episodit në garë, ai ka kritikuar fort edhe drejtuesit e federatës, duke theksuar se, ndonëse të pranishëm në aktivitet, nuk reaguan për të mbrojtur sportistin. “Asnjë reagim, asnjë protestë, asnjë qëndrim. Kjo është dështim,” shprehet ai.

Në reagimin e tij publik, kampioni ngre shqetësime edhe për kushtet e përfaqësimit të ekipit shqiptar, duke deklaruar se sportistët garojnë pa standardet minimale, si uniforma dinjitoze, fizioterapist apo mjek, ndryshe nga vendet e tjera europiane.

Reagimi i plotë:

Sapo përfundova garën në Kampionatin Europian dhe këtë herë ama do flas pa filtra!
Në shkëputje realizova 152 kg dhe tentova rekordin e Europës me 157 kg. Isha shumë pranë. Në shtytje realizova 184 kg – provë e pastër, e dhënë me 3 të bardha nga gjyqtarët. Më pas, juria vendos ta anullojë për një lëkundje minimale. Ky nuk është thjesht një vendim – është një padrejtësi e pastër dhe e turpshme që i bëhet një sportisti në mes të Europës.
Por edhe më e rëndë se kjo është heshtja. Drejtuesit e federatës ishin aty, me lekët e taksapaguesve, dhe nuk patën as guximin minimal për të mbrojtur sportistin e tyre. Asnjë reagim. Asnjë protestë. Asnjë qëndrim. Kjo nuk është papërgjegjshmëri por kjo është dështim.
Kur marrim medalje, jeni të parët për foto dhe deklarata. Kur ndodh padrejtësia, zhdukeni. Kjo është hipokrizi e pastër.
Jemi i vetmi ekip në Europë që dalim pa uniforma dinjitoze. Pa fizioterapist. Pa mjek. Pa asnjë standard bazë që çdo shtet serioz e konsideron minimum. Dhe pastaj flasim për “rrugën drejt Europës”? Kjo është skandaloze.
Fondet? Vijnë çdo vit. Askush nuk jep llogari. Askush nuk tregon ku shkojnë. Kam kërkuar auditim , zero përgjigje. Kjo federatë sillet si pronë private, jo si institucion që duhet t’i shërbejë sportistëve dhe trajnerëve.
STOP më me heshtje. BOLL më me abuzim. Sportistët nuk janë dekor për foto dhe propagandë, janë ata që mbajnë peshën reale të perfaqesimit Sportiv mbi supe.
Dhe kjo që po ndodh nuk është thjesht problem është turp.

Të Ngjashme