Aktuale

Ervini, “mat” në Brazil: Përplasja me Martinajn, bisedat me Suel Çelën dhe gjoba nga Ramazan Rraja

Zhurma e natës në Bllok shpesh mbulon gjithçka. Muzikën, dritat, dhe historitë që lëvizin në hije.

Por në një natë të vitit 2018, një përplasje e papritur do të nxirrte në sipërfaqe një emër që deri atëherë nuk ishte në qendër të vëmendjes publike.

Ervin Mata.

Në dukje, jo një figurë tipike e botës së krimit. Jo një “bos” i saj. I njohur më shumë si investitor në ndërtim dhe për lidhjen me këngëtaren Elvana Gjata, sesa për një profil të fortë kriminal.

or ngjarja e Bllokut do të ndryshonte gjithçka.

Një konflikt që, sipas dëshmive, nisi me disa fjalë të hedhura ndaj këngëtares së njohur dhe përfundoi me armë zjarri. I vrarë mbeti një nga njerëzit afër Ervis Martinajt, ndërsa vetë Martinaj u plagos, bashkë me besnikun e tij të përjetshëm, Eljon Hato.

Një episod që nuk mbaroi atë natë, por i hapi rrugë përplasjeve në distancë, zhvendosjeve dhe arratisjeve. Në fund të saj, Ervin Mata largohet nga Shqipëria. Destinacioni: Brazili.

Një vend i largët, por jo rastësor. Një hapësirë ku, për një kohë të gjatë, besohej se mungesa e një marrëveshjeje ekstradimi dhe boshllëqet ligjore mund të garantonin mbrojtje për ata që arrijnë të qëndrojnë jashtë radarit lokal.

Por kjo histori nuk është vetëm për arratisjen.

Sepse sipas SPAK, aktiviteti nuk kishte ndalur. Përkundrazi, dyshohet se ishte shtrirë përtej kufijve, në rrjete të trafikut ndërkombëtar të drogës. Dhe ndërkohë që Mata mund të ketë besuar se ishte jashtë rrezikut, një tjetër zhvillim po ndodhte në heshtje.

Policia shqiptare që ishte në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet braziliane, arrin të zbulojë lëvizjet e tij, sa në Paraguai, sa në Argjentinë e qytete të ndryshme të Brazilit. E dy muaj pasi autoritete shkëmbyen informacion dhe u arrit të bëhej identifikimi i tij i plotë, me foto dhe gjurmë gishtash, në nëntor 2024 vjen dhe vizita e një delegacioni të SPAK në Brazil.

Një lëvizje, që nuk ishte thjeshtë procedurale. Emra konkretë ishin në fokus, në listat e Interpol dhe agjencive si DEA.

Dhe mesa duket, një prej tyre ishte pikërisht Ervin Mata.

Çfarë shkoi gabim në llogaritë e tij? Si funksionon realisht “streha ligjore” në vende si Brazili? Dhe a ishte arratisja një shpëtim apo vetëm një shtyrje e përplasjes së pashmangshme?

PËRPLASJA NË BLLOK

Mbrëmjen e datës 4 tetor 2018, Salla Operative Policisë së Tiranës ka marrë njoftimi se në rrugën “Ibrahim Rugova”, në një subjekt tregtar ka pasur të shtëna me armë zjarri. Me marrjen e njoftimit është formuar grupi hetimor, i cili ka shkuar në vendngjarje dhe ka kryer veprimet e para hetimore. Është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, në ambientet e brendshme të bar “Monopol”. Rezultoi se si pasojë e shkëmbimit të zjarrit në ambientet e brendshme të këtij lokali ishte një person i pajetë. Viktima ishte Fabian Gaxha, i cili pas ekspertizës mjeko-ligjore rezultoi se kishte 4 plagë tejshpuese. Në këtë ngjarje, u plagosën edhe Ervis Martinaj dhe Eljon Hato. Në vendin e ngjarjes u sekuestrua një pistoletë “Glock”, si dhe 13 gëzhoja të kalibrit 9 mm.

Nga ana e policisë gjyqësore është kryer sekuestrimi i DVR-ve që ndodhen pranë vendit të ngjarjes, si edhe të gjitha provave materiale.

I është marrë deklarim në cilësinë e personit që tregon rrethana të hetimit, shtetasit Redi Popesku, i cili është administrator i subjektit, që ka në pronësi dyqanin ku ka ndodhur ngjarja. Ky shtetas ka deklaruar se, ditën e ngjarjes, rreth orës 18:00, ka shkuar në dyqanin e tij Ervin Mata, i cili shoqërohej me 4 persona të tjerë dhe pasi kanë parë në vitrina janë ulur në tavolinë ku ai vetë u ka shërbyer pije alkoolike.

Redi Popesku

Ervin Mata së bashku me një person tjetër me emrin Joli, mbiemrin nuk ia di, i cili është oficer në Zall-Herr kanë dalë jashtë, ku Ervini është takuar me të dashurën e tij, shtetasen Elvana Gjata. Kur është kthyer sërish në dyqan së bashku me Jolin ka qenë i revoltuar. Pas 20 minutash kam dalë jashtë dyqanit, te shkallët, ku kam takuar mikun tim, Ervis Martinajn, të cilin e kam klient. Ai shoqërohej nga dy persona të tjerë. Më tha se do takonte Ervin Matën që ndodhej në dyqan dhe së bashku me dy personat që e shoqëronin është takuar me Ervinin ku janë ulur veç në fund të banakut. Dy personat që shoqëronin Ervis Martinajn janë kapur me shtetasin me emrin Joli duke i thënë “pse po shikon” dhe në këtë moment kanë ardhur dy persona nga jashtë, njëri i veshur me bluzë të errët me kapuç, trup i gjatë, me xhinse, i cili së bashku me personin tjetër që e shoqëronte filluan të shanin dhe të godisnin me grushte Jolin, oficerin e Zall-Herrit dhe personat e tjerë që ishin në tavolinë me të. Në këtë moment Ervis Martinaj po thoshte “mos, mos, mos”, ndërsa Ervin Mata po thoshte “ç’a po boni, ç’a është kjo punë” dhe në këtë moment kam parë personin me bluzë me kapuç, i cili kishte një armë zjarri. Kam dëgjuar një krismë, që ka ardhur nga vendi ku ndodhej personi i gjatë me kapuç në kokë, që po konfliktohej me Jolin, por për shkak të rrëmujës nuk e kam parë kush qëlloi dhe kur dëgjova krismën jam hedhur menjëherë pas banakut për t’u mbrojtur. Krismat kanë vazhduar dhe kur kanë pushuar, afër banakut ka ardhur Ervis Martinaj, i cili ishte plagosur në qafë dhe unë e kam marrë dhe e kam zbritur poshtë shkallëve drejt vendit të taksive.

Në dëshminë e tij, Redi Popesku shpjegon gjithashtu se, në momentin kur ka dalë nga banaku, ishin larguar të gjithë personat e pranishëm, përveç atij që kishte mbetur i vrarë, Fabian Gaxhës dhe një person tjetër afër derës, që ishte duke u përpëlitur, Eljon Hato. Tregon se pasi ka nxjerrë jashtë Ervis Martinajn, që ishte plagosur, është ulur në trotuar për t’u kthjelluar dhe në këtë moment ka parë dy motorë Policie, që ua ka bërë me dorë, duke i njoftuar se çfarë kishte ndodhur. Më pas së bashku me ta është futur sërish në dyqan. Në dëshminë e tij, Popesku ka shpjeguar se i plagosuri dhe i vrari ishin njerëzit e Ervis Martinajt dhe konflikti ka nisur për arsye banale, në lidhje me ngacmimin e të dashurës së Ervin Matës, këngëtares Elvana Gjata. Sipas tij, Ervin Mata me Ervis Martinajn janë takuar qetësisht në lokal pa ndonjë tendencë për t’u agravuar situata.

Nga ana e Policisë Gjyqësore janë marrë të dhëna edhe shtetasit Geldo Hoti. I pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime ai ka deklaruar se:

Geldo Hoti

Ditën e ngjarjes, rreth orës 14:00 kam shkuar tek “Monopol” dhe jam takuar me pronarin, Redi Popesku. Pak më vonë, në lokal ka ardhur edhe Ervin Mata, Joli, që është miku i Ervinit dhe së bashku kemi shkuar te një lokal që quhet “Zihniu”, pranë “Karlsbergut”. Duke drekuar, në lokal ka ardhur një person që i thërrisnin Tani dhe me mbiemër Allushi, i cili shoqërohej me një person tjetër rreth 170 cm i gjatë, i shëndoshë, me flokë të shkurtra, rreth 40 vjeç, dhe këta persona janë ulur me ne në tavolinë. Rreth orës 18:00, jemi çuar nga lokali dhe kemi shkuar përsëri te “Monopol”, ku jemi ulur përsëri të gjithë bashkë. Rreth 1 orë më pas, Ervini ka dalë jashtë lokalit ku është takuar me Elvana Gjatën, e cila është e fejuara e Ervinit dhe kur është kthyer brenda u ka thënë se dikush i kishte ngacmuar të fejuarën dhe ky person do të vinte në lokal për t’u sqaruar. Nuk më kujtohet orari i saktë, por fillimisht në lokal kanë hyrë 3 persona, dhe Ervini sapo ka parë këta persona është ngritur nga tavolina dhe i ka takuar te banaku. Rreth 1-2 minuta më pas, në lokal kanë hyrë 2 persona të tjerë, njëri nga personat e sapofutur, ka nxjerrë nga brezi një armë pistoletë dhe na është drejtuar te tavolina ku ishim ulur me fjalët “…mos të lëvizi njëri se do t’ju….” Në këtë moment jam ngritur nga karrigia për të ikur por personi që mbante armën në dorë më është drejtuar me fjalët …mos lëviz…

Për rrethanat e hetimit u është marrë deklarim edhe babait të Ervin Matës dhe prindërve të Elvana Gjatës. Luan Mata, Babai i Ervinit është shprehur se nuk ka dijeni për ngjarjen dhe se nuk e dinte ku ishte i biri. Nga ana tjetër prindërit e këngëtares Elvana Gjata, kanë deklaruar se ajo kishte rreth një vit që bashkëjetonte me Ervin Matën. Ndërsa me Mevjol Bilon shoqërohej shpesh, pasi ishte nipi i nënës së Elvanës.

Ervis Martinaj, për shkak të plagës që kishte marrë në qafë, fillimisht mori mjekim në Spitalin e Traumës, i cili u blindua nga forca të shumta Policie gjatë gjithë kohës që qëndroi aty. Edhe Masa e sigurisë iu komunikua në ambientet e spitalit, ku dhe u mor në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Ervis Martinaj

Këngëtarja s’ka lidhje fare. Me Ervin Matën s’kam pasur lidhje. Me të jam takuar rastësisht. Unë jam rritur me babën e Ervinit. Sherri nuk ishte aq i madh sa për të goditur aq shumë plumba. Unë isha ai që i thashë Fabit ‘mos’ se po të mos kisha ndërhyrë unë, ‘kokëmadhi’ do të kishte vdekur sot, pasi ai e kishte të pamundur të qëllonte se e kishin kapur nga krahët e s’kishte mundësi të nxirrte armën. Ai u tregua legen, pasi kur unë i thashë Fabit, ‘mos çfarë po bën’, ai gjuajti me refleks. Do të ishte Fabi gjallë. Jeni duke më rënë në qafë kot, pasi unë isha duke pirë një gotë. Unë në spital kam shkuar vetë me një taksi. Nëse nuk do të kisha shkuar për 3 minuta, do të kisha vdekur, pasi kisha humbur 2.5 litra gjak. Ervin Mata është një dele. Ai tani do të jetë në një copë dhomë, duke pirë. Unë s’kam asnjë lloj konflikti me të, por do të flas me babin e tij dhe do i them të vijë të sqarojë. Ai ka frikë se mos ngel në burg, se ju e arrestoni, e mbani kot.

Megjithatë, pavarësisht deklarimeve të Ervis Martinajt për një takim rastësor me Ervin Matën, të gjitha provat dhe dëshmitë flisnin për një takim të planifikuar.

Ervin Mata u shpall në kërkim për këtë ngjarje, por iu shmang drejtësisë për 5 muaj duke u vetëdorëzuar më 3 mars 2019. Ndaj tij ishte vendosur masë në mungesë “arrest me burg” për vrasje. Një ditë pas vetëdorëzimit, Gjykata e ndryshoi masën, duke vendosur “detyrim paraqitje” vetëm për “moskallëzim krimi” dhe ai u la i lirë.

Ervin Mata dhe miqtë e tij Fabio Allushi dhe Ajaks Boshnjaku, u dënuan për moskallëzim krimi me 6 muaj burgim që zbriti në 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjykata e pezulloi ekzekutimin e dënimit dhe urdhëroi Matën, Allushin dhe Boshnjakun të kryejnë secili nga 100 orë punë në interes publik.

Me shërbim prove u dënua edhe Geldo Hoti.

Ish-komandoja Mevjol Bilo u cilësua fajtor nga Gjykata e Tiranës për plagosjen e rëndë të Eljon Hatos. Ai u dënua me 7 vite burgim për plagosje dhe armëmbajtje pa leje, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim iu reduktua në 4 vite e 8 muaj. Por, ish-komandoja nuk shkoi asnjë ditë në burg, pasi dënimi iu konvertua në 4 vite e 8 muaj shërbim prove.

Avokatët arritën të bindin gjykatën se Bilo reagoi me armë për shkak se i rrezikohej jeta. Me këtë argument, se ai kishte reaguar për shkak të nevojës ekstreme, gjykatësi paraprak i pushoi ish-ushtarakut akuzën e vrasjes së Fabian Gaxhës.

Nga ana tjetër, Gjykata e Tiranës shpalli fajtor dhe e dënoi me 5.6 vite burg Ervis Martinajn. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfitoi uljen e 1/3-ës së dënimit duke u dënuar përfundimisht nga Shkalla e Parë me 3.8 vite burg për “sigurim kushtesh për kryerjen e një vrasje”, “falsifikim letërnjoftimesh”, “organizim lotarish në mënyrë të paligjshme”, si dhe “fshehje të ardhurash”. Megjithatë, ai ishte liruar më parë, me garanci pasurore dhe nuk u arrestua as pas këtij vendimi, për shkak se çështja u apelua dhe ende nuk ka marrë formë te prerë as sot e kësaj ditë.

Kur të dy ishin në liri, gjërat nuk do ishin njëlloj si më parë për Ervis Martinajn dhe Ervin Matën. Mes tyre nuk kishte më paqe dhe kjo u dëshmua në vitet në vazhdim. Dhe shkak nuk ishte vetëm vrasja në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë. Në një hark kohor të shkurtër ndodhën vrasje e atentate të dështuara, që mbetën pa autor, por që hetimet i lidhnin me këta personazhe. Ndonëse më vonë, siç treguan dosjet e SPAK, rivaliteti i Ervis Martinajt ishte më i fortë me personazhe të tjerë, sesa vetë me Ervin Matën.

SULMI ME EKSPLOZIV

Një sasi tritoli, që dyshohet të ketë qenë 100-200 gramë, shpërtheu mbrëmjen e datës 30 maj 2020 në Rrugën e Dibrës në Tiranë. Lënda plasëse u hodh e më pas shpërtheu mes dy bizneseve, hotel “Victoria” dhe një lokali bar-kafe. Burime zyrtare të Policisë thanë se pati vetëm dëme të vogla materiale e për fat të mirë asnjë person të lënduar. Kjo për arsye se të dy bizneset ishin të mbyllura në momentin e shpërthimit, që sipas Policisë ishte paralajmërues. Të paktën, me aq sa shihet në vendin e ngjarjes, tritoli ka hapur një gropë në murin e hotelit, si dhe ka thyer disa xhama të tij dhe të lokalit përbri. Hotel “Victoria” është në pronësi të Luan Matës, babait të Ervin Matës. Eksplozivi ishte hedhur nga një makinë në lëvizje.

Ngjarja ndodhi në orën 22:35, vetëm 18 minuta pas atentatit me dy të vrarë në një hotel në Laç. Në orën 22:17, në Laç u ekzekutua në atentat Bujar Lika dhe Paulin Gjergji. Duke qenë se të paktën, Buraj Lika njihej si mik i Ervis Martinajt, në atë kohë pati dyshime për një paralajmërim si kundërpërgjigje për atë ngjarje. Megjithatë, në vitin 2024, rezultoi diçka krejt tjetër. Bisedat në SKY, si shumë ngjarje të tjera, hodhën dritë edhe mbi shpërthimin në hotel “Victoria”.

Në vendimin e datës 18 tetor 2024, të Gjykatës së Posaçme, shpjegohen me detaje të gjitha episodet, për të cilat akuzohen Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Ramazan Rraja, etj., mes të cilëve është edhe kjo ngjarje. Nga analizimi i bisedave në SKY, nga pin-i që ishte përdorur nga Ramazan Rraja, me bashkëbiseduesit e tij, por dhe nga komunikimet e kryera prej bashkëbiseduesve të tjerë, janë krijuar dyshime se i pandehuri Ramazan Rraja ishte njëri nga personat që ka kërkuar dhe siguruar një automjet, tek njohjet e tij shoqërore në Durrës, dhe në vijim ka dërguar një nga të afërmit e tij me qëllim për ta marrë këtë automjet, dhe për të realizuar hedhjen e sasisë së lëndës eksplozive, në hotel “Victoria” Tiranë, në pronësi të shtetasit Luan Mata.

Vendimi i Gjykatës

Referuar procesverbalit për këqyrjen, leximin dhe analizimin e bisedave të përdoruesit të Sky, me Pin “JU6RE9”, i cili ka rezultuar se përdorej nga i pandehuri Ramaza Rraja, me bashkëbisedues të tjerë, rezulton se lidhjet shoqërore të të pandehurit Ramazan Rraja në qytetin e Durrësit janë të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, të cilët i kanë siguruar një automjet, me të cilin më pas është vepruar për vendosjen e lendes plasëse pranë hotel “Victoria”. Sipas bisedave te zhvilluara mes të pandehurve, rezulton se për të marrë këtë automjet në Durrës i pandehuri Ramazan Rraja ka dërguar një të afërmin e tij dhe ky automjet është marrë me qëllim për të realizuar qëllimin kriminal, atë të vendosjes së sasisë së lëndës eksplozive, në hotel “Victoria” Tiranë, në pronësi të shtetasit Luan Mata babai i shtetasit Ervin Mata i njohur me pseudonimin “Boli”, ngjarje e ndodhur më datë 30.05.2020, ora 22:35. Konkretisht rezulton se përdoruesi i Sky, Bledar Polovina komunikon me Amar Shkëmbin, në muajin korrik 2020, pra pasi ngjarja kishte ndodhur, dhe referuar bisedave të realizuara në datë 12.07.2020, Polovina dhe Shkëmbi flasin pikërisht për një ngjarje që lidhet me vendosjen e një sasie eksplozivi në lokalin e Ervin Matës, nga ana e të pandehurit Ramazan Rraja, për shkak të konflikti (për punë pazaresh mes tyre), dhe mospagimin nga ana e Ramazanit.

Amar Shkëmbi – Bledar Polovina

“Atë bombën e hotelit të Bolit të Elvanës ditën që u vra ai shoku Visit, Ramazani e kishte vën. Se kishin bo një lidhje ata Fufët me Bolin e Elvanës. I kishin bo dy punë ata Ramazanit, s’i kishin dhënë gjë dhe Ramazani i ka vu gjobë 1.5 milion euro atij dhe i vuri bombën te hoteli plakut Vin Bolit. Jo me kishte çu dikë, që ja kishte vën anash”.

Një tjetër bisedë që zhvillohet në Sky, me interes për hetimet, ka qenë edhe ajo mes Julian Meçajt dhe Ramazan Rrajës, e zhvilluar më 25 maj 2020, 5 ditë para se të ndodhte shpërthimi në hotel. Rraja i thotë Meçajt se kishte komunikuar me Plaurent Dervishajn, pasi i duhej një makinë që ta përdornin në një ngjarje.

Ramazan Rraja – Julian Meçaj

“Më tha shoku për i makin vlla. A fole ti, a nez ajo? Po nji t’vogël vlla sa me hedh i tritol e du. Të sjell i kusho ta mori më von. Ja t’i them t’gjej naj pal targa. Po vlla sa të kthehet ai se ësht në Tironë, do vij direkt. Po do e shofi rrugën ai vlla. Po pati gjo të them un dhe e lejm për nesër mroma. Ok vlla. N’rregull vlla. O vlla nuk do vij sonte ai, se e paska vet një motorr mos ta djegim kot makinën i her vlla. O vlla a ja jep dot makinën sonte atij kushos tim, të sjell një çun t’vogël? Rrofsh vlla mbone nder t’modh, se du me e nis per Tironë direkt a nez ajo thu vlla. A ka naft vlla që mos nalojn fare ato, të hikin direkt për Tironë? Ishalla ka mos të nalojn ato se po i çoj me i ven të marojn i pun mos të nalojn. Po t’bo ftes Xheni vlla, çuni xhaxhit se po vje ai çuni Rafmanit. Po vlla te semafori par djathtas? Pys un nesër Drinin. Paska hy shteti në Nikel. Po i thash ta lejn me naj rrugic në Fush Kruj”.

Ndërsa më 31 maj 2020, një ditë pas ngjarjes, Ramazan Rraja komunikon sërish në SKY me një person të paidentifikuar.

Ramazan Rraja – Personi X

“Tritolin tek hoteli ja kam hedh un e di gjith Shqipëria, mos e kërko asnjë vend thuj. Po mka ardh shum inat që s’ka bo dot dam ai djali s’kam qen vet se do ja bosha venin salc. Nqoftë se e ke aq shok thuj atij ose çoj llaf te baba vet se i kam nis njerz po s’kan shku, se do arsyen pse dhe du me i thon: Ramazani nuk e di me ca hasmërie je msu por une jam ai burr që të çoj llaf s’jam … S’te kam as hak as hile përveç ç’a mke dhe kë të gjej nga familja do ja vras. Ktë thuja…”

Kjo ngjarje, edhe për faktin se nuk pati viktima, madje as dëme materiale, për shumë kohë mbeti pa autor. Madje, duket se edhe hetimet ishin orientuar gabim, por Sky zbuloi gjithçka. Edhe vetë faktin se krimi shpesh komunikon përmes dhunës dhe sinjaleve, qofshin këto edhe pa pasoja.

RRJETI NDËRKOMBËTAR

Mbrëmjen e 20 nëntorit 2023, SPAK finalizoi një operacion, për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte lëndë narkotike nga Amerika e Jugut, drejt Europës. Prej 7 muajsh po kryheshin hetime për këtë grup, në qendër të të cilit ishte Ervin Mata.

SPAK kishte dyshime të arsyeshme se ky grup i strukturuar kriminal, në përbërje të të cilit janë policë e ish-policë, trafikonte kokainë nga Ekuadori, Kolumbia dhe Brazili, drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Konkretisht bëhej fjalë për 4 dërgesa me kokainë të kapura në vitin 2021 në Holandë, Brazil, Gjermani dhe Spanjë. Këto kanë qenë objekt i hetimit, fillimisht të Europol e më pas edhe të SPAK, ndaj anëtarëve të grupit të Ervin Matës.

Është një sasi totale prej 931 kg kokainë që është kapur në katër shtete, dhe që padyshim SPAK ka provuar se organizatorë të dërgimit të kokainës nga vendet e Amerikës Jugut në Europë, ishin pikërisht shqiptarët, që drejtoheshin nga Ervin Mata.

Komunikimet në Sky të mbërritura nga autoritet franceze dhe belge, kanë hedhur dritë mbi këtë situatë.

Njoftimi i SPAK

Në kuadër të këtij procedimi penal, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, në Amerikën e Jugut si dhe në disa vende të tjera në Europë. Po ashtu është hetuar dhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri. Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e BKH-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:

– Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Holandë në datën 05.01.2021

– Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021

– Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erwitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani

– Sekuestrimi i një sasie prej 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main, Gjermani

– Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Republikën e Shqipërisë

– Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në Republikën e Shqipërisë

Ndërkohë, njoftohej se po vazhdohej me dokumentimin e episodeve të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian.

Por si nisi hetimi për këtë grup të strukturuar kriminal?

Grupi po hetohej nga agjencitë europiane të zbatimit të ligjit, në Holandë, Belgjikë, Francë dhe Gjermani. Edhe në këtë rast bëhej fjalë për një rrjet të mirëorganizuar shqiptarësh, që trafikonin kokainë nga Amerika e Jugut, kryesisht nga Ekuadori dhe nga Brazili. Në kohën që bëhej verifikimi i Pin-eve që ata përdornin në aplikacionin Sky, hyn në lojë edhe SPAK.

Emrat e personazheve të përfshirë në grupin kriminal që drejtonte Ervin Mata, nisën të dalin në skenë gjatë hetimeve për një sasi kokaine të kaluar në Holandë më 5 janar të vitit 2021. Bëhej fjalë për 446 kilogramë lëndë narkotike. Në dosjen e SPAK rezulton se lënda narkotike ishte porositur nga Eralb Breçani. Për këtë ngarkesa kishte paguar Ismail Zeneli, i cili sipas komunikimeve të aplikacionin SKY rezulton se thirrej “Daja”.

Të Ngjashme