Pjesëtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), së bashku me pjesëtarë të Policisë së Kosovës, do të zhvillojnë sot një stërvitje të përbashkët për kontrollin e turmave dhe menaxhimin e trazirave.
Sipas njoftimit, stërvitja do të zhvillohet në Kompleksin e EULEX-it, në zonën industriale të Prishtinës, dhe është pjesë e aktiviteteve të rregullta për ngritjen e gatishmërisë së reaguesve të sigurisë në Kosovë.
Gjatë ushtrimit parashihet dislokimi i personelit dhe pajisjeve në zonën e përcaktuar për stërvitje, ndërsa fokusi do të jetë në koordinimin dhe bashkëpunimin ndërmjet EULEX-it dhe Policisë së Kosovës gjatë situatave që kërkojnë menaxhimin e turmave dhe trazirave.
Sipas njoftimit, qëllimi i kësaj stërvitjeje është avancimi i mëtejmë i gatishmërisë operacionale dhe ndërveprimit ndërmjet reaguesve të sigurisë, në përputhje me standardet evropiane.
Autoritetet kanë bërë të ditur se aktiviteti është pjesë e detyrave të rregullta të reaguesve të sigurisë dhe zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për reagim të koordinuar në situata të ndryshme të sigurisë.
