Një rrjet kriminal që operonte një skemë mashtrimi online në shkallë të gjerë është goditur pas një hetimi të përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe austriake, me mbështetjen e Europol dhe Eurojust. Operacioni, i cili zgjati më shumë se dy vite, çoi në arrestimin e 10 personave në Tiranë, kontrolle në disa ambiente dhe sekuestrimin e rreth 900 mijë eurove cash, të gjetura edhe në qese, si dhe një sërë pajisjesh elektronike.
Sipas Europol, rrjeti dyshohet se operonte disa qendra thirrjesh (“call center”) në Tiranë dhe ka shkaktuar dëme financiare që kapin vlerën e të paktën 50 milionë eurove, duke mashtruar viktima në vende të ndryshme të botës.
Skema e mashtrimit
Viktimat josheshin përmes reklamave të rreme në rrjetet sociale dhe platforma online, që premtonin investime fitimprurëse. Pas regjistrimit, atyre u caktoheshin “agjentë” që paraqiteshin si këshilltarë financiarë.
Këta operatorë përdornin teknika manipulimi dhe, në shumë raste, programe me qasje në distancë për të marrë kontroll mbi pajisjet e viktimave, duke i bindur të transferonin shuma të konsiderueshme parash.
Në realitet, fondet nuk investoheshin, por kanalizoheshin në një skemë të ndërlikuar pastrimi parash në nivel ndërkombëtar.
Strukturë e organizuar si korporatë
Hetimet zbuluan një organizim të avancuar të rrjetit, i cili funksiononte si një kompani e mirëfilltë, me deri në 450 punonjës të ndarë në departamente të ndryshme si shitje, shërbim klienti, financë, IT dhe burime njerëzore.
Operatorët punonin në ekipe sipas gjuhëve (gjermanisht, anglisht, italisht, greqisht dhe spanjisht), për të fituar besimin e viktimave në tregje të ndryshme ndërkombëtare.
Sekuestrimet dhe hetimi
Gjatë operacionit të koordinuar më 17 prill 2026 u sekuestruan:
891 735 euro cash
443 kompjuterë
238 telefona celularë
6 laptopë
pajisje dhe media të ndryshme ruajtjeje
Hetimi nisi nga autoritetet austriake në vitin 2023, pas identifikimit të një numri të madh viktimash në Vjenë, dhe më pas u shtri në Shqipëri përmes bashkëpunimit ndërkombëtar. Eurojust koordinoi ekipin e përbashkët hetimor, ndërsa ekspertët e Europol mbështetën analizën e të dhënave dhe operacionet në terren. Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë, ndërsa analiza e materialeve të sekuestruara pritet të zbardhë më tej aktivitetin dhe shtrirjen e plotë të këtij rrjeti kriminal ndërkombëtar.

