Profesori Fadil Maloku ka reaguar lidhur me zhvillimet në Tiranë gjatë protestës së 28 Nëntorit, duke e cilësuar këtë ditë si “28 Nëntori i turpit”.
Në një shkrim publik, Maloku ka kritikuar mënyrën e reagimit të pushtetit ndaj protestuesve, duke thënë se festa që duhej të simbolizonte bashkimin dhe kujtesën kombëtare është shndërruar në skenë dhune, konfrontimesh dhe përdorimi të gazit lotsjellës.
Ai ka kritikuar qeverisjen e Edi Ramës, duke e akuzuar për arrogancë dhe represion ndaj qytetarëve.
Maloku ka theksuar se, ndonëse dhuna e protestuesve nuk mund të justifikohet, sipas tij, dhuna shtetërore bart përgjegjësi më të madhe, pasi ushtrohet në emër të ligjit dhe institucioneve.
“Ky 28 Nëntor do të mbahet gjatë në mbamendje dhe do të komentohet për shumë kohë ndër brezat që po vijnë”, ka shkruar Maloku.
Shkrimi i plotë i Malokut
28 Nëntori i turpit!
Qytetarë me flamuj në sheshe, e pushteti i “shpërblen” me dhunë, arrogancë e represion të paparë!
Ajo që po ndodh sot nëpër rrugët e Tiranës, ku, në vend që të festohej denjësisht 28 Nëntori, po gjakosen qytetarët e rëndomtë vetëm pse u ka ardhur në majë të hundës sistemi totalitar i Edi Ramës dhe klikës së tij të oligarkëve dhe mafiozëve, është rast unik në historinë e kombit shqiptar!
Pra, dita që duhej t’i bashkonte të gjithë shqiptarët anekënd botës rreth kujtesës së pavarësisë dhe sakrificave sublime, u shndërrua në skenë dhune, frike dhe konfrontimi me bashkëqytetarët. Pushteti që do të duhej të simbolizonte lirinë dhe pavarësinë 114-vjeçare, sot, në emër të këtyre qytetarëve, është duke ushtruar dhunë të frikshme, vetëm e vetëm për të ruajtur privilegjet dhe pasurimin e padenjë të oligarkëve, mafiozëve dhe politikanëve të korruptuar!
Ky pushtet, që protestën po e sheh si kërcënim ndaj vetvetes dhe jo si alarm demokratik, jam tejet i bindur se po rrezikon ta shndërrojë autoritetin e cenuar dhe të komprometuar në një arrogancë dhe represion që nuk mbahet mend asnjëherë në historikun e qenësimit të shtetit shqiptar. E kuptoj që as dhuna e protestuesve nuk mund të justifikohet, por dhuna shtetërore, që po i përgjak qytetarët e vet, ka një përgjegjësi shumë më të madhe, sepse ushtrohet në emër të ligjit dhe me fuqinë e institucioneve.
Tragjedia sociologjike e këtij 28 Nëntori është se, në vend të festimit me flamuj, ceremoni të larta shtetërore, shpresa dhe ambicie për gjithë kombin, ky nëntor është shndërruar në ditë konfrontimesh, gjakosjeje dhe gazi lotsjellës. Ky 28 Nëntor do të mbahet gjatë në mbamendje dhe do të komentohet për shumë kohë ndër brezat që po vijnë!
Ndërkaq, absurdi sociologjik i këtij 28 nëntori qëndron në faktin se, nëse më 1912 shqiptarët kërkuan çlirimin nga sundimi i huaj, sot ata po kërkojnë çlirimin nga falangat autoktone shqiptare, të rekrutuara nga pushtetmbajtësit e korruptuar, oligarkët e pasuruar dhe grupet e kriminalizuara mafioze…
