Aktuale

Flakët shkrumbuan kullën 12 kate të “Arlis”, del EKSPERTIZA: Ja çfarë e shkaktoi zjarrin!

Reparti zjarrfikës i Tiranës ka përfunduar ekspertizën e detajuar teknike për zjarrin që shkrumboi kullën 12 katëshe të banimit te zona e 5 Majit, ndërtuar nga kompania “Arlis”. Ajo i është dorëzuar Prokurorisë së Tiranës, bashkë me relacionin shpjegues.

Gazetarja Anila Hoxha, referuar brendësisë së raportit të ekspertimit, thotë se shërbimi zjarrfikës ka dalë në përfundimin se shkaku i zjarrit te kulla e “Arlis” ka qenë djegia e kartonave dhe mbetjeve të tjera pranë fasadës.

Ajo përjashton kategorikisht neglizhencën e shërbimit apo ndonjë shkëndijë të mundshme elektrike, duke konfirmuar se flakët kanë nisur nga djegia e kartonave të produkteve të supermarketit “Big Market”.

Në pamjet e siguruara, shihet momenti kur kartonat e lënë në një karrocë pranë fasadës së pallatit, marrin flakë dhe pas 5 sekondash zjarri përhapet me shpejtësi në fasadën 12 katëshe të kullës së “Arlis”.

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur të japë ndihmë të menjëhershme financiare për familjet dhe individët e prekur nga zjarri i 14 prillit, duke zbuluar se janë shkrumbuar në total 71 apartamente dhe të gjitha familjet që banonin aty, do marrin ndihmë mujore prej 40 mijë lekësh.

Ndërkohë, Shoqëria ndërtuese “Arlis” është zotuar se do të marrë përsipër, me shpenzimet e veta, të rindërtojë fasadën e pallatit dhe të gjitha apartamentet e dëmtuara.

Një mesazh shprese për banorët e prekur, në këto momente të vështira ku i gjithë mundi i jetës është shkrumbuar përpara syve, thuhet se ata nuk do të paguajnë asgjë, sepse shoqëria “Arlis Ndërtim” do i rindërtojë dhe do ua dorëzojë sërish apartamentet me çelësa në dorë.

Të Ngjashme