Aktuale

Flet vajza e Raul Castros: Askush nuk do ta rrëmbejë babanë tim! Jemi gati të luftojmë kundër imperializmit

Mariela Castro, vajza e ish-udhëheqësit kuban Raul Castro, hodhi poshtë çdo mundësi që babai i saj të rrëmbehet nga forcat amerikane, disa ditë pasi ndaj tij u ngritën akuza në SHBA.

Deklarata e saj vjen pas operacionit të forcave speciale amerikane në Venezuelë, ku presidenti Nicolas Maduro u arrestua dhe u dërgua në SHBA për t’u përballur me akuza, mes tyre edhe për trafik ndërkombëtar droge.

“Askush nuk do ta rrëmbejë, as atë dhe as askënd tjetër. Jemi gati të luftojmë kundër imperializmit”, deklaroi Mariela Castro gjatë një proteste pranë ambasadës amerikane në Havanë.

Raul Castro, 94 vjeç, u akuzua nga drejtësia amerikane se në vitin 1996, si ministër i Mbrojtjes, kishte urdhëruar rrëzimin e dy avionëve civilë pranë brigjeve kubane, ku humbën jetën katër shtetas amerikanë.

Mariela Castro tha se babai i saj nuk duket i shqetësuar nga akuzat dhe se ai “buzëqeshi si një revolucionar i vjetër që e di se është i sigurt”.

Edhe pse Raul Castro nuk mban më poste zyrtare në qeverinë kubane apo në Partinë Komuniste, ai vazhdon të ketë ndikim të madh politik dhe mbështetje nga ushtria.

Vajza e tij akuzoi administratën amerikane se po përdor “frikën dhe pasigurinë” si taktikë politike, ndërsa shtoi se akuzat ndaj Castros nuk pritet të ndikojnë në bisedimet mes Havanës dhe Uashingtonit.

Të Ngjashme