Lajme

Formalizohet marrëveshja për Këshillin Kombëtar Shqiptar, Kamberi tregon detajet

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se më 28 Nëntor është formalizuar marrëveshja për bashkëdrejtimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, nën udhëheqjen e Enkel Rexhepit, në një takim në Qeverinë e Kosovës me kryeministrin Albin Kurti.

Kamberi ka theksuar se kjo marrëveshje vjen pas përbashkimit të subjekteve politike shqiptare në zgjedhjet parlamentare dhe përbën një hap tjetër drejt konsolidimit të bashkëpunimit politik dhe institucional të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Ai ka vlerësuar se respektimi i vullnetit të qytetarëve, gjithëpërfshirja dhe ndarja proporcionale e përgjegjësive duhet të jenë themelet e funksionimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, duke theksuar se dallimet partiake nuk duhet të pengojnë realizimin e interesave të përbashkëta kombëtare.

Në fund, Kamberi ka shprehur mirënjohje për kryeministrin Kurti për angazhimin në përbashkimin e politikës shqiptare në Luginë dhe ka theksuar se bashkimi duhet të dëshmohet përmes bashkëpunimit, punës dhe rezultateve konkrete për qytetarët.

Të Ngjashme