Forumi Ekonomik i Grave u bën thirrje të gjitha partive politike që garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit 2026 të përfshijnë zotime konkrete për barazi ekonomike gjinore në programet e tyre.
Sipas një njoftimi për media thuhet se Forumi Ekonomik i Grave kërkon nga partit politike që në programet e tyre të adresojnë me prioritet:
Miratimin e Ligjit të ri të Punës dhe përmirësimin e kushteve të punës për gratë;
Investimin në shërbime të kujdesit si parakusht për rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës;
Institucionalizimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor;
Rritjen e financimit për shërbimet sociale;
Mbështetjen konkrete për gratë në biznes dhe organizatat që punojnë për barazi gjinore dhe ekonomike.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se: “Në një moment kyç për orientimin e politikave ekonomike dhe sociale të vendit, roli i mediave është thelbësor për të siguruar që këto tema të mos mbesin jashtë debatit publik. Prandaj, ju inkurajojmë që në raportimet, debatet dhe intervistat tuaja me përfaqësues politikë, të shtroni pyetje konkrete lidhur me: reformat në Ligjin e Punës dhe mbrojtjen e grave në tregun e punës;të kërkoni qëndrime për investimet në shërbimet e kujdesit (çerdhe, kujdes për të moshuarit, etj.);të adresoni çështjen e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor dhe transparencës buxhetore;të kërkoni angazhime për financimin e shërbimeve sociale;të sfidoni programet politike për mbështetjen reale të grave në biznes”.
Siç thuhet njoftim këto nuk janë vetëm çështje të barazisë gjinore, por tema që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale dhe të ardhmen e tregut të punës në Kosovë.
“Besojmë se përmes një qasjeje më aktive mediatike, këto prioritete mund të vendosen në qendër të debatit publik dhe të kontribuojnë në rritjen e llogaridhënies të përfaqësuesëve politikë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
