Me rastin e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, të caktuara për më 7 qershor 2026, janë shtuar shqetësimet për mundësinë e ndikimeve të jashtme në procesin zgjedhor.
Vëmendja është përqendruar veçanërisht te pretendimet për ndërhyrje potenciale nga Serbia, që mund të manifestohen në forma të ndryshme, përfshirë sulme kibernetike, fushata dezinformuese, presione politike apo incidente që synojnë të krijojnë pasiguri dhe tension institucional.
Në një ambient të brishtë politik dhe me marrëdhënie ende të ndërlikuara mes dy vendeve, këto shqetësime janë bërë pjesë e debatit publik dhe analizave të sigurisë.
Ato ngrejnë pyetje të rëndësishme jo vetëm për shkallën e rrezikut real, por edhe për gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe për të reaguar ndaj formave moderne të ndërhyrjes hibride.
Racaj: Çdo tentativë për destabilizim duhet të trajtohet me profesionalizëm, qetësi dhe vendosmëri institucionale
E në lidhje me këtë çështje, ndërhyrjes potenciale të Serbisë me rastin e zgjedhjeve të parakohshme, për “Bota sot” foli njohësi i çështjeve të sigurisë, Muhamet Racaj.
Fillimisht, ai u shpreh se zgjedhjet janë një moment i rëndësishëm demokratik për shtetin, por që sipas tij mbahen në një periudhë të ndjeshme të sigurisë, ku zhvillimet gjeopolitike janë në vrull të madh.
Për këtë, ai kërkoi kujdes të shtuar nga institucionet shtetërore, pasi konsideron se ekziston mundësia që Serbia të synojë të ndikojë në procesin zgjedhor.
“Zgjedhjet e parakohshme në Republikën e Kosovës, të parapara për 7 qershor 2026, paraqesin një moment të rëndësishëm demokratik, por njëkohësisht edhe një periudhë me ndjeshmëri të shtuar në aspektin e sigurisë kombëtare dhe stabilitetit institucional. Duke marrë parasysh zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe qasjen tradicionale destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës, institucionet shtetërore duhet të jenë në nivel të lartë gatishmërie.
Ekziston mundësia reale që Serbia, përmes mekanizmave të luftës hibride, të tentojë të ndikojë në procesin zgjedhor në Kosovë. Këto ndikime mund të manifestohen në forma të ndryshme, duke filluar nga propaganda dhe dezinformimi në rrjetet sociale, sulmet kibernetike ndaj institucioneve, përhapja e lajmeve të rreme, presionet politike e diplomatike, e deri te stimulimi i incidenteve të izoluara me karakter destabilizues, veçanërisht në pjesën veriore të vendit”, theksoi ai.

Muhamet Racaj
Krahas kësaj, njohësi i sigurisë kërkoi që institucionet e sigurisë së vendit tonë të bashkëpunojnë dhe koordinohen me partnerët ndërkombëtarë.
“Në këtë kontekst, institucionet e sigurisë së Kosovës – Policia e Kosovës, AKI, institucionet e sigurisë kibernetike dhe mekanizmat tjerë shtetërorë – duhet të veprojnë në koordinim të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me NATO-n, KFOR-in dhe misionet perëndimore të pranishme në Kosovë.
Po ashtu, duhet monitorim i shtuar i hapësirës digjitale dhe identifikim i hershëm i fushatave të ndikimit të huaj, të cilat synojnë cenimin e besimit të qytetarëve në procesin demokratik. Sulmet hibride sot nuk zhvillohen vetëm me mjete ushtarake, por përmes manipulimit informativ, tensioneve politike dhe luftës psikologjike”.
Ndër të tjera, ai shtoi se, për të siguruar një proces zgjedhor demokratik dhe pa ndërhyrje, duhet që çdo tentativë për destabilizim të trajtohet me profesionalizëm.
“Megjithatë, qytetarët e Kosovës kanë treguar pjekuri demokratike dhe rezistencë institucionale përballë sfidave të tilla. Prandaj, çdo tentativë për destabilizim duhet të trajtohet me profesionalizëm, qetësi dhe vendosmëri institucionale, në mënyrë që procesi zgjedhor të zhvillohet i lirë, demokratik dhe pa ndërhyrje të jashtme”, përfundoi Muhamet Racaj për “Bota sot”.
Berisha: Normale që të ketë shqetësime për tentativa të ndikimeve të jashtme, veçanërisht nga Serbia
Kurse, eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, thotë se janë normale shqetësimet për ndikimet e mundshme të Serbisë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” potencoi se edhe në të kaluarën ka pasur sulme kibernetike e fushata dezinformuese nga shteti serb ndaj institucioneve tona.
“Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen përkundër faktit se ka pasur mundësi të gjendej zgjidhje nga të gjitha partitë politike. Vetë fakti se zgjedhjet do të zhvillohen në një kontekst të ndjeshëm politik dhe të sigurisë, e bën normale që të ketë shqetësime për tentativa të ndikimeve të jashtme, veçanërisht nga Serbia.
Ndikime të tilla është provuar të ketë pasur edhe në zgjedhjet e kaluara, përmes fushatave dezinformuese, sulmeve kibernetike ndaj institucioneve apo mediave, presioneve politike dhe incidenteve të ndryshme me qëllim destabilizimi ose uljeje të besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor”.

Fidair Berisha
Megjithatë, Berisha theksoi se, pavarësisht rreziqeve të mundshme, institucionet e Kosovës kanë përvojë në përballjen me ndërhyrjet e jashtme të Beogradit në procesin tonë zgjedhor.
Me këtë rast, ai vlerësoi se duhet të ketë gatishmëri dhe përgatitje për të ndaluar çdo tentativë që do të mund ta dëmtonte procesin zgjedhor.
“Mirëpo, është me rëndësi të theksohet se institucionet e Kosovës tashmë kanë përvojë në menaxhimin e proceseve zgjedhore dhe në përballjen me çfarëdo tentative që ka për qëllim dëmtimin e këtyre zgjedhjeve. Në këtë kontekst duhet përmendur edhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë.
Institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen kibernetike kanë barrën më të madhe në këtë aspekt dhe duhet të jenë në gatishmëri të shtuar para dhe gjatë zgjedhjeve të 7 qershorit 2026, jo për të krijuar panik, por për të parandaluar çdo tentativë që do të mund ta dëmtonte procesin zgjedhor”, përmbylli Fidair Berisha për “Bota sot”.
