Lajme

FSK avancon në arenën ndërkombëtare, eksperti i sigurisë tregon se çfarë përfiton Kosova

Bordi i Paqes ka njoftuar për përfshirjen e dy oficerëve të rinj ndërlidhës nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), duke e cilësuar këtë si një zhvillim që forcon bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe stabilitetit.

Në njoftim thuhet se: “ISF mirëpret oficerët e saj më të rinj ndërlidhës, majorët Gentrit Idrizi dhe Labinot Lala, nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Kosova po dërgon më të mirët e saj për të lehtësuar rrjedhën kritike të informacionit midis ISF-së dhe vendit të tyre. Integrimi i tyre në stafin e ISF-së forcon koalicionin tonë ndërkombëtar të personelit, duke avancuar përpjekjet për siguri dhe stabilizim për Bordin e Paqes.”

Lidhur me këtë zhvillim, eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se ky emërim nuk duhet parë si një hap rutinë brenda strukturave ushtarake, por si një tregues i qartë i rritjes së besimit ndërkombëtar ndaj Kosovës në fushën e sigurisë.

Image
Fidair Berisha

“Emërimi i majorëve Gentrit Idrizi dhe Labinot Lala si oficerë ndërlidhës të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Bordin e Paqes dëshmon avancimin e vazhdueshëm të FSK-së dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ky është një hap shumë i rëndësishëm, jo vetëm për FSK-në, por edhe për Republikën e Kosovës në përgjithësi.Ndër të tjera, ky emërim paraqet një dëshmi të besimit që partnerët ndërkombëtarë kanë ndërtuar ndaj kapaciteteve profesionale të personelit të FSK-së. Ky besim është rezultat i punës dhe përkushtimit të vazhdueshëm gjatë viteve të fundit në ngritjen e standardeve profesionale, operacionale dhe të ndërveprueshmërisë me forcat e vendeve partnere”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Berisha e ka përmendur rëndësinë e emërimit edhe në kontekstin e gjerë strategjik dhe diplomatik, duke theksuar se përfitimet nuk kufizohen vetëm brenda ushtrisë.

“Nga perspektiva strategjike, emërimi i këtyre majorëve si oficerë ndërlidhës në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Bordin e Paqes e forcon më tej prezencën dhe kredibilitetin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë. Njëkohësisht, FSK-ja fiton përvojë të vlefshme praktike, njohuri profesionale dhe kontakte të reja, të cilat kontribuojnë në avancimin dhe zhvillimin e mëtejmë të saj. Sa më shumë që pjesëtarët e FSK-së marrin role aktive në iniciativa dhe struktura ndërkombëtare, aq më shumë forcohet pozicioni i Kosovës në aspektin diplomatik dhe politik”, ka vlerësuar ai.

Në fund, Berisha e ka paraqitur këtë zhvillim si pjesë të një transformimi më të thellë të FSK-së, nga një forcë në zhvillim drejt një aktori më aktiv në arkitekturën ndërkombëtare të sigurisë.

“Kjo ndikon pozitivisht në perceptimin e Kosovës si një partner serioz, të besueshëm dhe kontribuues në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale e ndërkombëtare.Ky zhvillim tregon qartë se Kosova nuk synon të jetë vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuuese aktive në të. Prandaj, ky emërim duhet të shihet si pjesë e procesit të profesionalizimit, ndërkombëtarizimit dhe konsolidimit të FSK-së, duke reflektuar përparimin e arritur deri më tani dhe duke krijuar mundësi të reja për rritjen e kontributit të Kosovës në misionet ndërkombëtare të paqes dhe sigurisë”, ka përfunduar Berisha për “Bota sot”.

Të Ngjashme