Objektet dhe pronat hekurudhore në Zveçan dhe Leposaviq, komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës tashmë do të jenë nën kontrollin e autoriteteve të Kosovës.
Të enjten në mëngjes, policia e Kosovës ka asistuar në marrjen e objekteve të stacioneve hekurudhore dhe kjo nën mbikëqyrjen edhe të ministrit të punëve të brendshme dhe atij të infrastrukturës.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se janë marrë objektet e stacioneve hekurudhore ku janë hequr tabelat “Hekurudhat e Serbisë”, dhe janë vendosur të reja me mbishkrimin “Infrastruktura Hekurudhore e Kosovës”, së bashku me flamurin e Kosovës.
Ndërsa, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ligjet duhet të zbatohen në të gjithë territorin e Kosovës dhe se “Hekurudhat e Serbisë” janë një nga institucionet e fundit “paralele dhe ilegale” që kanë funksionuar.
Ai gjithashtu deklaroi se Kosova nuk do të tolerojë funksionimin e institucioneve serbe dhe se të gjitha do të mbyllen.
“Kjo [hekurudha] është pjesë e rrjetit tonë dhe, siç e ka theksuar ministri i Infrastrukturës, do të jetë pjesë e projekteve për rindërtimin e rrjetit hekurudhor”, u shpreh ai.
Kurse, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka thënë se “nga sot janë kthyer nën menaxhim të plotë të Ndërmarrjes Publike INFRAKOS të gjitha objektet dhe pronat publike hekurudhore” në veriun e Kosovës.
Sipas tij, infrastruktura hekurudhore në veri deri më tani ka qenë “e uzurpuar nga strukturat ilegale paralele serbe”.
“Ky veprim lehtëson përshpejtimin e rehabilitimit, modernizimit dhe funksionalizimit të infrastrukturës hekurudhore në veri të vendit, në përputhje me prioritetet zhvillimore dhe standardet shtetërore të Kosovës”, u shpreh ai.
Shtrirja e autoritetit të Kosovës dhe rëndësia

Fidair Berisha
Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, në një bashkëbisedimcme “Bota sot” thotë se, rikthimi nën kontroll institucional i katër pikave të nënstacioneve hekurudhore ka rëndësi të veçantë strategjike për shtetin e Kosovës.
Sipas tij, kjo tregon se institucionet e Kosovës po e shtrijnë autoritetin e tyre në çdo pjesë të territorit.
“Policia e Kosovës me vendim të Infrakosit ka asistuar në marrjen nën kontroll të katër pikave të nënstacioneve hekurudhore në komunat e Zveçanit dhe Leposaviqit, mendoj se rikthimi nën kontroll institucional i katër pikave të nënstacioneve hekurudhore ka një rëndësi të veçantë strategjike për shtetin e Kosovës. Për mua ky veprim është mesazh i qartë se rendi dhe ligji po vlejnë për të gjithë njëjtë në çdo komunë të Kosovës. Ky veprim mund edhe politizohet , mirëpo kjo tregon se institucionet e Kosovës po e shtrijnë autoritetin e tyre në çdo pjesë të territorit. Qeveria e Kosovës përmes këtij aksioni, po tregon se nuk do të lejojë vakum institucional apo funksionim jashtë kontrollit shtetëror, sidomos në sektorë strategjikë si transporti dhe infrastruktura hekurudhore, gjithashtu ky veprim tregon se institucionet janë të gatshme të bashkëpunojnë dhe të veprojnë në koordinim për të garantuar rendin, sigurinë dhe funksionalitetin e pronës publike”, deklaron Berisha.
Ai veprimet e Kosovës i konsideron të arsyeshme dhe të domosdoshme për ruajtje e sovranitetit dhe rendit kushtetues.
Sipas tij, institucionet shtetërore duhet që të bëjnë, monitorim të vazhdueshëm duke bashkëpunuar me mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë të sigurisë
“Sa i përket mundësisë për tensionimin e situatës politike dhe të sigurisë në veri, sidomos duke pasur parasysh ndjeshmërinë politike dhe reagimet që mund të vijnë nga grupe të ndryshme , gjithmonë mbeten të hapura, mirëpo unë mendoj se çdo veprim institucional që ndërmerret në përputhje me ligjin dhe në koordinim me organet e sigurisë, është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për ruajtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Roli i policisë së Kosovës është kyç sa i përket sigurisë dhe funksionimit normal të këtyre objekteve, sepse policia me kapacitetet dhe profesionalizëm e saj është në gjendje që të ofroj siguri maksimale. Ndërsa nga institucionet shtetërore, kërkohet që të bëjnë , monitorim të vazhdueshëm duke bashkëpunuar me mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë të sigurisë për të parandaluar incidente eventuale dhe për të garantuar që këto nënstacione të funksionojnë normalisht në shërbim të qytetarëve dhe infrastrukturës hekurudhore të Kosovës”, shton Berisha për “Bota sot”.
Kosova dhe faza e re e konsolidimit real i shtetësisë në terren

Bedri Elezi
Veprim më domethënës në aspektin e sovranitetit shtetëror, kështu e konsideron eksperti tjetër i sigurisë, Bedri Elezi, rikthimin e kontrollit institucional të katër nënstacioneve hekurudhore.
Sipas tij, kontrolli mbi këto pika nënkupton kontroll mbi arteriet funksionale të shtetit.
“Rikthimi nën kontroll institucional i katër nënstacioneve hekurudhore në veri të Kosovës përbën një nga veprimet më domethënëse në aspektin e sovranitetit shtetëror, sigurisë kombëtare dhe konsolidimit të rendit kushtetues në veri të vendit. Ky nuk është thjesht një operacion administrativ apo teknik mbi objekte infrastrukturore — është një deklarim i qartë i autoritetit të shtetit në një zonë që për vite me radhë ka qenë sfidë e drejtpërdrejtë për funksionimin normal institucional të Republikës së Kosovës.
Infrastruktura hekurudhore konsiderohet aset strategjik i çdo shteti, sepse lidhet drejtpërdrejt me transportin, ekonominë, komunikimin, logjistikën dhe sigurinë kombëtare. Kontrolli mbi këto pika nënkupton kontroll mbi arteriet funksionale të shtetit. Për këtë arsye, rikthimi i tyre nën administrim legal shtetëror ka rëndësi të shumëfishtë: politike, juridike, ekonomike dhe të sigurisë”, deklaron Elezi.
Kosova po dëshmon që po hyn në një fazë të konsolidimit real, thotë Elezi, gjersa shton se sundimi i ligjit nuk mund të jetë selektiv dhe as territorial.
“Përmes këtij veprimi, institucionet e Kosovës po dërgojnë një mesazh shumë të fuqishëm: se në Republikën e Kosovës nuk mund të ekzistojnë më zona jashtë kontrollit institucional dhe se çdo aset publik apo strategjik do të administrohet ekskluzivisht nga institucionet legjitime të shtetit. Ky është një mesazh i drejtpërdrejtë kundër strukturave paralele, ndikimeve ilegale dhe çdo forme të cenimit të sovranitetit shtetëror. Po ashtu, ky aksion dëshmon se Kosova po hyn në një fazë të konsolidimit real të shtetësisë në terren, jo vetëm në aspekt deklarativ apo juridik. Sundimi i ligjit nuk mund të jetë selektiv dhe as territorial. Në momentin kur shteti nuk kontrollon infrastrukturën strategjike në një pjesë të territorit të vet, atëherë cenohen themelet e vetë funksionalitetit shtetëror. Pikërisht për këtë arsye, ky operacion ka peshë shumë më të madhe sesa vetë objekti fizik i nënstacioneve”, shprehet eksperti.
Elezi veriun e Kosovës e konsideron zonë të ndjeshme, duke treguar se siguria dhe funksionimi normal i këtyre objekteve pas rikthimit nën kontrollë do të kërkojë edhe disa gjëra.
“Natyrisht, ekziston potencial për tensionim të situatës politike dhe të sigurisë në veri, sepse çdo veprim që prek interesat e strukturave ilegale apo qendrave të ndikimit që kanë operuar për vite jashtë kontrollit institucional, mund të prodhojë reagime politike, propagandë destabilizuese apo tentativa për incidente. Veriu i Kosovës mbetet zonë e ndjeshme për shkak të historikut të tensioneve, pranisë së strukturave paralele dhe ndikimeve të jashtme politike e të sigurisë.
Megjithatë, është shumë e rëndësishme të theksohet se mosveprimi do të krijonte rrezik edhe më të madh për shtetin. Tolerimi i boshllëqeve institucionale krijon hapësirë për destabilizim, kriminalitet, sabotim dhe sfidim të rendit kushtetues. Prandaj, prezenca e Policisë së Kosovës në këtë operacion nuk ka karakter provokues, por karakter mbrojtës dhe ligjor — për të garantuar rendin, sigurinë publike dhe mbrojtjen e infrastrukturës strategjike”.
“Siguria dhe funksionimi normal i këtyre objekteve pas rikthimit nën kontroll do të kërkojë:
prani të vazhdueshme institucionale;
koordinim të ngushtë ndërmjet Policisë së Kosovës, institucioneve të sigurisë dhe operatorëve të infrastrukturës;
monitorim teknik dhe fizik të objekteve strategjike;
reagim të shpejtë ndaj çdo tentative sabotimi apo destabilizimi;
ndërtim gradual të besimit qytetar dhe funksionalitetit normal institucional në veri.
Në aspektin strategjik, ky veprim përfaqëson një test të drejtpërdrejtë të kapacitetit të shtetit për të ushtruar sovranitet efektiv në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ai është sinjal se epoka e “zonave gri”, e kontrollit informal dhe e strukturave paralele po sfidohet seriozisht nga institucionet shtetërore.
Ky është moment ku shteti po demonstron se sovraniteti nuk mbrohet vetëm me deklarata politike, por me kontroll real institucional, sundim të ligjit dhe prani funksionale në terren”, përfundon Elezi.
Kujtojmë, se Kosova gjatë dy vjetëve të fundit ka mbyllur pothuajse të gjitha institucionet e Serbisë, që pas luftës kanë funksionuar në zonat me shumicë serbe. Megjithatë, linjat hekurudhore drejt veriut të Kosovës nuk ishin në operim që nga viti 2008.
Ndërkaq, trafiku hekurudhor nga Serbia drejt veriut të Kosovës dhe anasjelltas ka qenë operacional deri para pak vitesh.
Në raportin vjetor të ndërmarrjes Infrakos për vitin 2024 thuhet se nuk kanë pasur qasje në hekurudhat në veri dhe se pritej që kjo çështje të ngrihej në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por kjo nuk ndodhi.
“Dihet se që nga 3 marsi i vitit 2008, strukturat paralele serbe në veri të Kosovës, me ndihmën e Hekurudhave të Serbisë, kanë okupuar pjesën veriore të Linjës Hekurudhore 10, duke e penguar Infrakos-in të ketë qasje në atë pjesë të hekurudhës”, thuhet në raport.
Aty theksohet se për këtë arsye pritet angazhim më i madh i institucioneve përgjegjëse të Kosovës, në mënyrë që Infrakos të ketë qasje në hekurudhat në veri.
