Lajme

Gara pas vendit të tretë: Kush e sfidon Abdixhikun dhe çka rrezikon LDK-ja?

Zgjedhjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), të cilat pritet të mbahen në vitin 2027, kanë filluar të marrin vëmendje në skenën politike, pas deklarimeve publike të disa figurave të kësaj partie dhe emrave të tjerë që kanë shprehur synimin për të garuar për postin e kryetarit.

Edhe pse data e saktë e mbajtjes së zgjedhjeve ende nuk është caktuar, gara për drejtimin e partisë duket se ka filluar.

Zhvillimet e fundit u intensifikuan pas deklaratës së deputetit të LDK-së, Arben Gashi, i cili më 28 tetor paralajmëroi se do të jetë kandidat për kryetar të partisë, duke e kushtëzuar kandidimin me zhvillimin e një gare të hapur dhe demokratike.

Ndërkohë, më 5 nëntor, edhe deputetja Hykmete Bajrami konfirmoi synimin për të kandiduar për kryetare të LDK-së, duke theksuar rëndësinë e një procesi të drejtë zgjedhor.

Këtyre dy emrave u shtohet edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili më herët ka deklaruar se synon të kandidojë për kreun e LDK-së. Megjithatë, Rama ka deklaruar se nuk është anëtar i drejtpërdrejtë i LDK-së, ndonëse ishte propozuar dhe mbështetur nga kjo parti për të drejtuar kryeqytetin.

Një tjetër emër që lidhet me garën për kryetar të LDK-së është Avdullah Hoti. Ai kishte shpallur kandidaturën më 25 janar 2026, duke bërë të ditur se në Kuvendin e partisë, të paraparë për 31 janar, do të kërkonte besimin e delegatëve për ta marrë drejtimin e LDK-së. Megjithatë, pas votimit në Kuvend, ku delegatët nuk e miratuan dorëheqjen e Lumir Abdixhikut, ky i fundit vazhdoi të mbetej në krye të partisë. Hoti nuk arriti të hyjë në garë për drejtimin e LDK-së në atë proces.

Hoti, në deklarimet e tij të fundit, ka folur edhe për nevojën që LDK-ja të drejtohet nga një figurë që mund ta bashkojë partinë. Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe Kujtim Shalën, duke e cilësuar si një emër që do t’i bënte nder LDK-së.

Ndërkaq, edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka lënë të hapur mundësinë e përfshirjes në garë, pa e konfirmuar deri më tani kandidimin e tij.

“Bota sot” ka tentuar të marrë një qëndrim nga kandidatët e përmendur lidhur me synimet e tyre për drejtimin e LDK-së dhe pritjet për zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen në vitin 2027, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, ata nuk janë përgjigjur.

Analistët politikë kanë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me garën e ardhshme për kryetarin e LDK-së. Ata kanë vlerësuar se zgjedhjet e brendshme të vitit 2027 do të jenë një moment i rëndësishëm për të ardhmen e partisë, duke ngritur çështjen e reformimit, rikthimit të identitetit tradicional dhe tejkalimit të përçarjeve të brendshme.

Ndërsa njëri e sheh zgjerimin e garës si mundësi për forcimin e demokracisë së brendshme, tjetri paralajmëron se rivalitetet politike dhe fraksionet mund ta thellojnë krizën në këtë parti.

Tahiraj: Shpallja e kandidaturave nga Hykmete Bajrami dhe Arben Gashi është një zhvillim pozitiv

Veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) , Saim Tahiraj një një prononcim për “Bota sot” ka vlerësuar pozitivisht këto kandidatura, duke theksuar se secili anëtar që i plotëson kushtet statutare ka të drejtë të hyjë në garë për drejtimin e partisë.

Image
Veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) , Saim Tahiraj

Sipas tij, kandidaturat e Bajramit dhe Gashit e bëjnë garën më serioze dhe më përmbajtjesore, ndërsa ndikojnë edhe në forcimin e demokracisë së brendshme në LDK.

“Secili dhe secila që respekton rregullat statutare ka të drejtë të kandidojë për kryetar të LDK-së. Shpallja e kandidaturave nga Hykmete Bajrami dhe Arben Gashi është një zhvillim pozitiv, i cili vetëm sa e bën garën më serioze, më përmbajtjesore dhe i jep një dimension të ri demokracisë së brendshme në LDK”, ka deklaruar ai.

Tahiraj ka potencuar se të dy kandidatët kanë meritat dhe kontributin e tyre shumëvjeçar në këtë parti, duke shtuar se gara duhet të zhvillohet mbi bazën e vlerave, përvojës dhe meritokracisë.

Megjithatë, ai ka shprehur rezerva për mundësinë e kandidimit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke thënë se, sipas vlerësimit të tij, Rama nuk përfaqëson identitetin tradicional politik të LDK-së.

“Përparim Rama, sikurse çdo anëtar tjetër që i plotëson kushtet statutare, mund të kandidojë, por, sipas vlerësimit tim, ai nuk është figura që përfaqëson më së miri identitetin dhe pamjen e vërtetë politike të LDK-së. Kandidatët që synojnë ta drejtojnë këtë parti duhet të përfaqësojnë vazhdimësinë e trashëgimisë së saj politike, institucionale dhe rugoviane, e jo të jenë figura të shkëputura nga rrënjët dhe identiteti i saj”, ka theksuar Tahiraj.

Ai ka kritikuar edhe mënyrën se si është udhëhequr LDK-ja në vitet e fundit, duke vlerësuar se partia ka devijuar nga tradita dhe filozofia e saj politike.

Sipas Tahirajt, ardhja në krye të partisë e figurave që, siç thotë ai, nuk kanë pasur përvojën dhe lidhjen e duhur me historinë e LDK-së, ka ndikuar në largimin e saj nga identiteti tradicional.

“Prej kohësh, LDK-ja ka dalë nga shtrati i vet tradicional. Kjo ka ndodhur pikërisht për shkak të ardhjes në krye të partisë të figurave që nuk kanë pasur përvojën, njohuritë dhe lidhjen e duhur me historinë, filozofinë politike dhe strukturën tradicionale të LDK-së. Një parti me histori dhe trashëgimi të tillë nuk mund të udhëhiqet përmes improvizimeve, kopjimeve apo eksperimenteve politike”, është shprehur ai.

Në këtë drejtim, Tahiraj ka kërkuar një proces të thellë reformimi, përmes të cilit LDK-ja, sipas tij, duhet të rikthehet te identiteti i saj tradicional dhe filozofia politike rugoviane.

Ai ka theksuar se partisë i duhen figura me integritet, përvojë politike dhe lidhje të dëshmuar shumëvjeçare me LDK-në, të cilat do të mund ta bartin dhe zhvillojnë më tej trashëgiminë e saj. 

“Nuk kemi nevojë për kopjime dhe improvizime, por për një reformë të thellë, për rikthim të identitetit politik dhe për një LDK që i qëndron besnike trashëgimisë së saj historike, institucionale dhe rugoviane”, ka përfunduar Tahiraj.

Qarri paralajmëron përçarje në LDK, përmend edhe nevojën për një figurë unifikuese

Ndërkaq, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar zhvillimet në partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova, duke vlerësuar se gara për kryetar mund të shoqërohet me përplasje të brendshme dhe thellim të ndasive politike.

Image
Gani Qarr

Ai ka theksuar se, përveç tre emrave që kanë shprehur publikisht synimin për të kandiduar, në opinion është përmendur edhe mundësia e kandidimit të Lutfi Hazirit.

“Sado që data e saktë për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme ende nuk është caktuar nga kryesia e LDK-së, në garën për të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të cilat parashikohen të mbahen vitin 2027, tre pretendenuesit kryesor Përparim Rama, Arben Gashi dhe Hykmete Bajrami kanë bërë publike synimet e tyre duke shprehur gatishmërinë për ti hyrë luftës paraelektorale për postin e kryetarit të kësaj partie të deklasuar politikisht dhe organizativisht nga brenda dhe jashtë saj.

Për herë të parë, dy anëtar veteran të LDK-së si Arben Gashi e Hykmete Bajrami dhe Përparim Rama si kryetar i propozuar dhe mbështetur nga LDK por siç deklaron ai vet, jo dhe anëtar i drejtpërdrjtë i kësaj partie, kanë shprehur publikisht gatishmërinë për të kandiduar për kryetar të partisë në zgjedhjet të cilat do të mbahen në vitin që vjen për të parin e këtij segmenti politik”, ka deklaruar ai.

Duke folur për zhvillimet brenda partisë, Qarri ka ngritur kritika ndaj kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, duke pretenduar se gjatë drejtimit të tij janë margjinalizuar figura që kanë kontribuar për vite me radhë në LDK.

Ai ka vlerësuar se këto zhvillime kanë ndikuar në krijimin e pakënaqësive dhe ndasive të brendshme, të cilat mund të reflektohen edhe në procesin e ardhshëm zgjedhor.

“Fatkeqësisht brenda LDK-së, janë thelluar shumë edhe inatet politike, pasi që siç edhe përflitet publikisht, kryetari aktual Lumir Abdixhiku, para disa kohësh s’postoi nga funksionet kryesore dhe ua hoqi fuqinë vendimmarrëse anëtarëve më të devotshëm dhe kontribuuesve shumëvjeçar të LDK-së, nga Llapi dhe Rrafshi i Dukagjinit, të cilët mbi supet e tyre kanë bartur barrën kryesore të qëndrueshmërisë dhe mbarëvajtjes politike të kësaj partie, duke ngritur në fuqi dhe vendosur në funksione vendimmarrëse parashutistë të ardhur nga partitë tjera, pa qenë asnjëherë anëtar as dëshmuar kurrë ndonjë kontribut sado të vogël, për të mirën e kësaj partie, gjë që e ka dëmtuar tepër rëndë imazhin e partisë dhe vet këtë segment politik, jo vetëm duke mos u ngritur në votime, por duke rënë në vendin e parafundit dhe shkërmoqur nga brenda, ndasi të cilat mund ta qojnë në ndarje dhe shtimin e fraksioneve si dhe humbjen e mëtejme të mbështetjes nga votuesit e Republikës së Kosovës.

Ndryshe në opinion kanë filluar pëshpëritjet, se njëri nga kandidatët ende të pashpallur publikisht, për të parin e LDK-së, mund të jetë edhe Lutfi Haziri, i cili me deklaratën e tij të dhënë së fundi se “unë jam prej atyre që kam garuar në ditë të vështira dhe nuk i frikësohem garës, lë të hapur mundësin, se nëse merr pëlqimin e kryesisë aktuale e veçanërisht të Lumir Abdixhikut, garës për kryetar të LDK-së, do ti hyjë edhe ai, veçanërisht kur dihet se kjo është mundësia e fundit për te, për tu vendosur në postin e të parit të kësaj partie, ku graviton për dekada”, ka thekesuar ai. 

Më tej, analisti ka paralajmëruar se gara mund të shndërrohet në një përplasje ndërmjet fraksioneve të ndryshme brenda LDK-së. Sipas tij, partisë i nevojitet një proces më përbashkues, i cili do të krijonte mundësi për tejkalimin e ndasive dhe konsolidimin e saj.

“Gjendje e cila e bënë garën, aktualisht edhe më të paparashikueshme dhe rrezikon të shndërrohet në përplasje të hapur dhe të shkaktojë problem të mëdha ndërmjet fraksioneve tanimë të njohura rajonale brenda LDK-së, në vend të kandidimit të dy-tre kandidatëve konsensual, në mënyrë që zgjedhja e cilitdo prej tyre, ta vendoste në binar dhe rrugën e konsolidimit partinë në fjalë dhe jo ta orientoj drejt ndasive të reja dhe shkatërrimit definitiv të ish partisë shteformuese dhe më të madhe në vend të Dr.Ibrahim Rugovës! 

Atmosfera e tanishme thellësisht e trazuar partiake, distancimet e pashembullta fraksionale dhe ndërkëmbëzat personale e grupore, me tre emrat e vetdeklaruar si kandidat për kryetar partie, me bagazhin që e njohim, ata në vend se të shërbejnë si mundësi për demokratizimin dhe fuqizimin e partisë, do të ndikojnë për distancime edhe më të mëdha, ngase që të tre kanë dëshmuar me kohë, se nuk janë emra të zot apo figura të afta e përbashkuese për të realizuar ndryshmet e nevojshme brenda partisë, as nuk posedojnë potencialin e duhur, për të reformuar partinë dhe rikthyer atë në një segment të fortë, e pjesëmarrëse të fuqishme e cila do të ishte në gjendje të zhvillonte garë serioze për ardhjen në pushtet”, është shprehur ai.

Në fund, Qarri ka përmendur edhe emrin e Faton Bislimit, duke e cilësuar atë si figurën që, sipas vlerësimit të tij, mund të kontribuojë në bashkimin e fraksioneve dhe reformimin e LDK-së. 

“Prandaj, për mendimin tim, emri i cili do ta shpëtonte LDK-në nga shkërmoqja e tërësishme është dhe mbetet Dr. Faton Bislimi Doktor i shkencave Politike i dalë nga Universitet me famë botërore i Harvardit në SHBA, i cili ishte edhe dy herë tjera kandidat për kryetar të partisë, siç është e ditur se ka qenë pjesë e ekipit të fushatës presidenciale të ish presidentit Joe Beiden dhe ekipit të presidentit TRUMP dhe shpresohet se ai është figura e vetme unifikuese që mund ti ulte tensionet aktuale, ribashkojë fraksionet e brendshme, rikthejë LDK-në, në binarët e stabilizimit dhe fuqizoi si parti për ti hyrë e përgatitur si duhet dhe fituar maksimalisht votat e mundshme elektorale, në zgjedhjet e ardhshme politike, që do të mbaheshin pas disa viteve në Kosovë”, ka përmbyllur Qarri për “Bota sot”.

Të Ngjashme