Lajme

Gërvalla: Databaza Kombëtare me mbi 37 mijë të dhëna do të ndihmojë në luftimin e dhunës në familje

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se Databaza Kombëtare për evidentimin e rasteve të dhunës në familje përmban mbi 37 mijë të dhëna administrative, të cilat do të shërbejnë për hartimin e politikave më të sakta dhe për përmirësimin e reagimit institucional ndaj kësaj dukurie.

Gjatë prezantimit të raportit analitik të kësaj databaze, Gërvalla ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet nëntë institucioneve dhe shërbimeve që kontribuojnë në sistemin e përbashkët, përfshirë policinë, prokuroritë, gjykatat, shërbimet sociale, strehimoret dhe institucionet që ofrojnë mbrojtje e ndihmë juridike.

Ajo ka theksuar se kjo bazë e të dhënave krijon mundësi për të kuptuar më mirë dimensionet e dhunës në familje dhe për të përcaktuar ndërhyrjet e nevojshme institucionale.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Gërvalla, gratë dhe vajzat përbëjnë 71,6 për qind të viktimave të regjistruara, ndërsa burrat dhe djemtë përbëjnë 86 për qind të kryesve të dhunës së regjistruar.

Ajo ka thënë se këto statistika duhet të reflektohen drejtpërdrejt në politikat për mbrojtjen e grave dhe vajzave, trajtimin e varësisë ekonomike dhe kontrollit brenda familjes, si dhe në punën parandaluese me burrat dhe djemtë.

“Përgjegjësia për ndryshim duhet të shtrihet edhe tek ata që ushtrojnë dhunë dhe te mjediset ku sjellja e dhunshme tolerohet”, ka deklaruar Gërvalla.

Një tjetër çështje që ka dalë në pah nga analiza e të dhënave është gjendja ekonomike e viktimave që strehohen. Sipas saj, 71,4 për qind e viktimave të regjistruara në strehimore janë pa punësim.

Në këtë drejtim, ministrja ka theksuar se mbrojtja afatgjatë nuk mund të kufizohet vetëm në largimin e viktimave nga ambienti ku ushtrohet dhuna, por duhet të përfshijë edhe mundësitë për banim, të ardhura, punësim dhe mbështetje për fëmijët.

Gërvalla ka ngritur edhe nevojën për ndërlidhjen e regjistrave institucionalë, në mënyrë që i njëjti rast të mund të ndiqet përgjatë trajtimit në institucione të ndryshme, duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Sipas saj, një sistem i tillë do të mundësonte identifikimin e vonesave në trajtimin e rasteve, vlerësimin e shpejtësisë së ofrimit të mbrojtjes dhe evidentimin e rasteve të përsëritjes së dhunës.

Ajo ka paralajmëruar gjithashtu se numri më i vogël i rasteve të regjistruara nuk nënkupton domosdoshmërisht ulje të dhunës, pasi rritja e raportimeve mund të tregojë edhe besim më të madh të qytetarëve në institucione dhe qasje më të mirë në ndihmë.

Në fund, Gërvalla ka vlerësuar se databaza përbën një aset të rëndësishëm institucional, ndërsa ka theksuar nevojën që të dhënat e mbledhura të përdoren rregullisht në proceset e vendimmarrjes, me qëllim të përmirësimit të mbrojtjes dhe sigurisë së viktimave.

Të Ngjashme