Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për një marrëveshje të re politike për zgjedhjen e presidentit, në një kohë kur vendi po i afrohet afatit kushtetues të 6 tetorit.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin brenda këtij afati, Kushtetuta parasheh shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Kurti ka kërkuar që partitë politike të ulen sërish në tryezë dhe të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të hyjë në një tjetër cikël zgjedhor për një çështje që, sipas tij, mund të zgjidhet nga Kuvendi.
“Para nesh, përpos sot, kemi edhe gjashtë ditë të plota për t’i dhënë vendit president ose presidente të re”, tha ai.
Kurti ka vlerësuar se përveç arritjes së një marrëveshjeje të re politike, zgjedhja e presidentit është ende e mundshme dhe se kjo do të mundësonte shmangien e zgjedhjeve të reja.
“Përveç arritjes së një marrëveshjeje të re, edhe zgjedhja e presidentit është e mundshme. Rrjedhimisht, zgjedhjet e përsëritura, të panevojshme e të kushtueshme, gjithsesi janë të shmangshme”, deklaroi Kurti.
Ai u ka bërë thirrje subjekteve politike që të ulen dhe të diskutojnë për një zgjidhje.
“Andaj, le të ulemi bashkë, sepse zgjedhjet e reja sërish nuk do të ishin zgjedhje për president. Ato, përveç se pa Kuvend, edhe njëherë këtë herë do të na linin edhe me paqartësi për ushtrimin e detyrës së presidentit, e Qeveria do të mbetej në detyrë”, tha Kurti.
Në këtë situatë, mbetet e hapur pyetja nëse partitë opozitare do t’i përgjigjen pozitivisht kësaj thirrjeje, nëse mund të arrihet një kompromis brenda pak ditësh dhe cilat do të jenë kushtet që mund të sigurojnë votat e nevojshme.
Për këtë çështje, për “Bota sot” kanë folur profesori Nijazi Halili dhe anëtari i Guxo-s, Agim Rexhepi.
Halili: Kosova ka nevojë për marrëveshje institucionale, jo për një tjetër cikël bllokadash

Nijazi Halili
Fillimisht, profesori Nijazi Halili në një prononcim për “Bota sot” vlerësoi se Kosova ndodhet përballë një momenti të rëndësishëm institucional dhe se pas përcaktimit të 6 tetorit si afat për zgjedhjen e presidentit, hapësira për kalkulime politike është ngushtuar ndjeshëm.
Sipas tij, kërkesa për një marrëveshje të re politike duhet të trajtohet seriozisht nga të gjitha subjektet parlamentare, por një marrëveshje e qëndrueshme nuk mund të jetë vetëm një ujdi ndërmjet liderëve partiakë.
“Kosova ndodhet përballë një momenti të rëndësishëm institucional. Pas përcaktimit të 6 tetorit si afat kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, hapësira për kalkulime politike është ngushtuar ndjeshëm.
Kërkesa për një marrëveshje të re politike është një mundësi që duhet të trajtohet seriozisht nga të gjitha subjektet parlamentare. Megjithatë, një marrëveshje e qëndrueshme nuk mund të jetë thjesht një ujdi ndërmjet liderëve partiakë; ajo duhet të prodhojë konsensus të mjaftueshëm në Kuvend dhe të respektojë plotësisht Kushtetutën”, deklaron Halili për “Bota sot”.
Ai thotë se, pavarësisht kohës së shkurtër, një marrëveshje nuk është e pamundur nëse ekziston vullneti politik.
“Në këto rrethana, gjashtë ditë janë pak, por nuk janë domosdoshmërisht të pamjaftueshme. Nëse ekziston vullneti politik, dialogu intensiv mund të prodhojë një kompromis. Pengesa kryesore nuk është vetëm gjetja e një emri për Presidentin, por sigurimi i votave dhe ndërtimi i një mirëkuptimi që të mos mbetet peng i mospajtimeve brenda apo ndërmjet subjekteve politike. Përvoja e marrëveshjes së mëparshme për kandidaturën e Bekim Sejdiut e dëshmon këtë problem”, shprehet ai.
Halili thekson se çdo marrëveshje e re duhet të mbështetet në disa parime themelore, në mënyrë që të sigurohet funksionaliteti i institucioneve.
“Një marrëveshje e re duhet të përmbajë tri elemente themelore, respektimin e Kushtetutës, transparencën politike dhe garancinë për funksionalitetin e institucioneve. Kandidati për President duhet të jetë në gjendje të sigurojë mbështetje përtej një grupimi të vetëm politik dhe të shihet si përfaqësues i institucionit të shtetit, jo vetëm i një force politike”, thekson profesori.
Ai u bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të rikthehen menjëherë në dialog dhe të mos vendosin kushte që e bëjnë kompromisin të pamundur.
“Apeli im është i drejtpërdrejtë: të gjitha subjektet politike duhet të ulen menjëherë në tryezën e dialogut, pa kushte që e bëjnë kompromisin të pamundur. Në këtë fazë, përgjegjësia nuk i takon vetëm shumicës apo vetëm opozitës, por të gjithë deputetëve dhe liderëve politikë. Kuvendi nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve partiake”, shprehet Halili.
Sipas tij, zgjedhjet e reja mund të shmangen nëse palët arrijnë një kompromis dhe sigurojnë votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit.
“Nëse palët arrijnë një kompromis kushtetues dhe sigurojnë votat e nevojshme, zgjedhjet e reja mund të shmangen. Në të kundërtën, moszgjedhja e Presidentit brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuta krijon pasojat institucionale të parashikuara prej saj, përfshirë shpërndarjen e Kuvendit dhe procesin e ri zgjedhor”, deklaron ai.
Në fund, Halili thotë se fokusi i partive duhet të jetë te gjetja e një zgjidhjeje dhe jo te përplasjet politike.
“Prandaj, sot nuk është koha për të kërkuar fajtorë të rinj, por për të kërkuar zgjidhje institucionale. Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe kompromis. Institucionet e Republikës nuk duhet të mbahen peng nga përplasjet partiake. Nëse ekziston vullneti politik, zgjidhja ende është e mundshme; nëse mungon ai vullnet, kostoja do të jetë një tjetër cikël pasigurie institucionale”, përfundon Nijazi Halili për “Bota sot”.
Rexhepi: Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të tjera – tani kërkohet përgjegjësi politike

Agim Rexhepi
Ndërkaq, anëtari i Guxo-s, Agim Rexhepi, thotë se Kosova ndodhet sërish përballë një momenti vendimtar dhe se përgjegjësia për tejkalimin e situatës u takon të gjithë aktorëve politikë.
“Kosova është përsëri përballë një momenti vendimtar. Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor dhe, nëse Kuvendi dështon ta përmbushë këtë përgjegjësi, vendi mund të hyjë në një tjetër proces zgjedhor”, thotë Rexhepi në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”.
Sipas tij, thirrja e Kurtit për një marrëveshje të re politike duhet të shihet në kontekstin e nevojës për të shmangur një tjetër krizë institucionale.
“Në këtë situatë, thirrja e Albin Kurtit për një marrëveshje të re politike nuk duhet të interpretohet si kërkesë për privilegj partiak, por si kërkesë për ta zhbllokuar një situatë që po kërcënon të prodhojë edhe një tjetër krizë institucionale”, shprehet ai.
Rexhepi rikujton se edhe marrëveshja e mëparshme për kandidaturën e Bekim Sejdiut nuk arriti të prodhojë rezultatin e kërkuar në Kuvend, pasi gjashtë deputetë të LDK-së deklaruan se nuk do ta mbështesnin atë kandidaturë.
“Pyetja sot nuk është se kush fiton politikisht nga zgjedhjet e reja. Pyetja është: kush merr përgjegjësi për pasojat e tyre? Kurti dhe LDK-ja tashmë kishin arritur një marrëveshje për kandidaturën e Bekim Sejdiut, por ajo nuk u realizua pasi gjashtë deputetë të LDK-së deklaruan se nuk do ta mbështesnin. Kjo e la marrëveshjen pa numrin e nevojshëm të votave”, deklaron Rexhepi.
Ai e sheh pikërisht sigurimin e votave si një nga problemet kryesore për çdo marrëveshje të re.
“Një marrëveshje e re nuk mund të jetë marrëveshje për ndarjen e pushtetit dhe as marrëveshje për interesa të ngushta partiake. Ajo duhet të jetë marrëveshje për funksionimin e shtetit: një kandidat që mund të sigurojë votat e nevojshme, respektim të procedurave kushtetuese dhe një zotim politik që Kosova të mos hidhet përsëri në një cikël bllokadash dhe zgjedhjesh”, thekson ai.
Rexhepi thotë se institucionet tashmë janë formuar dhe se zgjedhja e presidentit është çështja kryesore që ka mbetur për t’u përmbyllur. Qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti u zgjodh më 13 shtator me 62 vota.
“Sepse qytetarët kanë votuar tashmë. Kuvendi është formuar. Qeveria është zgjedhur më 13 shtator me 62 vota. Tani institucioni që ka mbetur për t’u zgjedhur është Presidenti i Republikës”, thotë Rexhepi.
Sipas tij, fakti që marrëveshja e mëparshme nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme tregon se vetëm dakordimi ndërmjet liderëve nuk mjafton.
“Marrëveshja e kaluar tregoi pikërisht këtë problem: edhe kur drejtuesit politikë arrijnë një mirëkuptim, ai nuk mjafton nëse nuk shndërrohet në vota reale në Kuvend. Prandaj, në këto ditë të fundit, përgjegjësia është mbi të gjithë deputetët.
Nuk është koha për kushte të pafundme. Nuk është koha për kalkulime se kush del më mirë në zgjedhjet e ardhshme. Është koha për ta pyetur veten se çfarë i duhet Kosovës sot. Nëse ka një kandidat që mund të marrë mbështetjen e nevojshme, nëse ka një formulë që garanton funksionalitet institucional dhe nëse ka vullnet politik për kompromis, atëherë marrëveshja duhet të bëhet”, shprehet ai.
Në fund, Rexhepi thotë se gjashtë ditët e mbetura duhet të shfrytëzohen për dialog dhe përpjekje për kompromis.
“Albin Kurti ka bërë thirrje që partitë të ulen përsëri në tavolinë. Tani topi është te të gjithë aktorët politikë.
Prandaj, gjashtë ditët e fundit nuk duhet të përdoren për akuza, por për zgjidhje. Kosova ka nevojë për institucione, jo për një tjetër cikël bllokade. Ka nevojë për përgjegjësi, jo për kalkulime. Dhe nëse ekziston një mundësi për marrëveshje, ajo duhet të shfrytëzohet. Sepse shteti duhet të jetë më i madh se interesi i çdo partie politike”, përmbylli Agim Rexhepi për “Bota sot”.
