Aktuale

Gjendet pa shenja jete një 29-vjeçar, policia jep detaje

Një person është gjetur pa shenja jete në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Rakaj të Ferizajt.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se viktima është një mashkull 29-vjeçar, transmeton Klankosova.tv.

“Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, së bashku me njësinë reaguese dhe hetuesit e stacionit policor. Në vendngjarje ka dalë edhe ekipi emergjent mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull 29-vjeçar”, ka thënë Veseli.

Ai poashtu bëri të ditur se lidhur me rastin janë njoftuar hetuesit rajonalë, njësia e krimteknikës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë nisur procedurat për ekzaminimin dhe zbardhjen e rrethanave të vdekjes.

Policia, në koordinim me prokurorin e shtetit, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rastin.

Të Ngjashme