Lajme

Gjermania vjen me qëndrim të fuqishëm ndaj Radoiçiq – ja paralajmërimi!

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka përsëritur qëndrimin e Berlinit se përgjegjësit për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, duhet të përballen me drejtësinë.

Duke folur për Milan Radoiçiqin, i cili është përgjegjës për organizimin e sulmit, Rudolph tha se Gjermania e ka dënuar ngjarjen me gjuhën më të ashpër dhe vazhdon të kërkojë që autorët të japin llogari.

E kemi dënuar sulmin atje me termat më të ashpër dhe vazhdojmë ta bëjmë. Kemi thënë se përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë. E di që Kosova ka lëshuar fletarrestim ndërkombëtar që është aktiv. Kjo duhet të ndodhë”, deklaroi ambasadori.

I pyetur nëse Milan Radoiçiq do të ekstradohej në Kosovë në rast se do të hynte në territorin e Gjermanisë, ambasadori Reiner Rudolph u përgjigj se ai do të ndalohej.

Ai do të ndalohej, natyrisht”, tha Rudolph në një emision televizivë.

Megjithëse mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë, Radoiçiq endet i lirë në Serbi, me vendbanim të paraqitur në Beograd. Serbia nuk ka ngritur asnjë aktakuzë kundër tij.

Megjithatë, Interpoli ka lëshuar një fletëarrest ndërkombëtar për të, me kërkesë të Kosovës, përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për sulmin në Banjskë, ndërsa mes 45 të akuzuarve është edhe Milan Radoiçiq, i cili është përshkruar si “udhëheqës i grupit terrorist”.

Në këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë këtë vit ka dënuar tre persona: dy me burgim të përjetshëm dhe një me 30 vjet burgim.

Të akuzuarit e tjerë janë në arrati dhe Kosova ka lëshuar urdhër-arreste për heqjen e lirisë së tyre përmes Interpolit. Kosova ka kërkuar disa herë nga Serbia që të ekstradojë Radoičićin në mënyrë që ai të ballafaqohet me drejtësinë. Në kohën e sulmit në Banjskë, Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i bëjnë thirrje Beogradit që të ndjekë penalisht përgjegjësit për sulmin në Banjskë.

Të Ngjashme