Në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare të 7 qershorit, skena politike në Kosovë po karakterizohet nga një retorikë e ashpër dhe polarizuese ndërmjet partive kryesore.
Në këtë periudhë fushate, akuzat e ndërsjella, deklaratat e forta dhe diskursi i tensionuar janë bërë pjesë e përditshme e debatit publik, duke ngritur shqetësime për nivelin e gjuhës politike dhe ndikimin e saj në klimën demokratike të vendit.
E në lidhje me këtë çështje, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, i cili akuzoi opozitën për qasjen dhe sabotimin që ia ka bërë qeverisë së Kosovës.
Madje, ai u shpreh se, për shkak të inateve dhe luftës për pushtet të opozitës, Kosovë ka shkuar edhe në një palë zgjedhje, e të cilat do mbahen brenda pak ditësh.
“Edhe pse në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, koalicioni i LVV-së i fitoi zgjedhjet parlamentare karshi PLAN-it, pas shumë peripecish dhe sabotimesh të opozitës, arriti të konstituohet Kuvendi, mirëpo pas shumë obstruksioneve dhe bllokadave disa mujore të opozitës, nuk arriti të formohet Qeveria e Kosovës, që me automatizëm e dërguan vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Fatkeqësisht, edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, kur koalicioni i LVV-së i fitoi zgjedhjet me 51.11%, brenda ditës arriti ta konstituojë Kuvendin e Kosovës dhe formoi Qeverinë, mirëpo kur i erdhi radha zgjedhjes së presidentit, prapë PLAN-i, në mënyrë të organizuar dhe të orkestruar, duke sabotuar mbledhjen e Kuvendit me mosbërjen e kuorumit prej 2/3, nuk u zgjodh presidenti, dhe PLAN-i përsëri e çoi vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të panevojshme.

Skënder Musliu
Kështu, Kosova jashtë vullnetit të sovranit, por me inatet dhe luftën për pushtet të opozitës, më 7 qershor prapë shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Dhe më e keqja është se PLAN-i paralajmëron se vendi edhe pas 7 qershorit, nëse ai nuk arrin rezultate të kënaqshme, prapë do ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme?!”.
Përveç kësaj, Musliu u shpreh kritik edhe për mënyrën e realizimit të fushatës zgjedhore dhe gjuhën e përdorur.
Sipas tij, kjo fushatë po karakterizohet me përdorimin e një gjuhe skajshmërisht polarizuese, me ofendime dhe nxitje të urrejtjes.
“Në fushatën zgjedhore të 7 qershorit 2026, partitë politike, duke pasur parasysh afatin e shkurtër të zgjedhjeve, tashmë intensivisht janë në takime të organizuara brenda dhe jashtë Kosovës. Kjo fushatë, për dallim nga të tjerat, fatkeqësisht karakterizohet me përdorimin e një gjuhe skajshmërisht polarizuese, me ofendime, shpifje, nxitje të urrejtjes, madje edhe me sulme fizike, siç ishte sulmi i Sami Lushtakut ndaj zv. ministrit Hysni Mehani”.
Për këtë, Musliu përmendi disa nga rastet kur partitë opozitare, sipas tij kanë eskaluar me gjuhë arrogante e fyese.
Në këtë pikë, përmendi disa nga akuzat më të rënda që ia kanë bërë Kurtit, si “spiun i Serbisë”, “autokrat”, “bashkëpuntor i Vuçiqit”, “kryehajn”, etj…
“Në këtë kontekst, do të përmend vetëm disa nga qindra raste të kësaj gjuhe arrogante dhe fyese të opozitës. Është e papranueshme që një ish-kryeministër si Ramush Haradinaj, kryeministrin Kurti ta quajë diktator, spiun të Serbisë, bashkëpunëtor të Vuçiqit, njeri të Serbisë dhe Rusisë që merr paga prej tyre. Nasim Haradinaj thotë se Kurti është si Rahman Morina. LDK-ja Kurtin e quan autokrat dhe njeri të padijshëm. Sami Lushtaku Kurtin e quan njeri të Serbisë. Armend Zemaj Kurtin e quan kryehajn. Hykmete Bajrami thotë se qeverisja e Kurtit është më e korruptuara në historinë e Kosovës dhe “mjerë ne se kush na udhëheq, më mirë do të ishte nën qeverisjen e Vuçiqit”. Pal Lekaj, i njohur dhe i dënuar për vjedhjen e 53 milionë eurove, thotë se kupola e krimit është Albin Kurti. Enver Hoxhaj thotë se Kurti është edhe i dëmshëm edhe i rrezikshëm. Hisen Berisha e dëshiron Kurtin në burg. Xhavit Haliti deklaron se vrasja e Afrim Bunjakut nuk është akt terrorist. Ganimete Musliu, personazh tragjikomik i Kuvendit që i trafikon–vjedh mëditjet, deklaron se Albin Kurti po i zbaton politikat e Çubrilloviqit. Analisti Vebi Kajtazi fton qytetarët të dalin në shesh ta rrëzojnë “diktatorin” Albin Kurti nga pushteti, të cilin e quan edhe “hajn të fëlliqtë”, ndërsa i ashtuquajturi analist mercenar Astrit Shala, me të tjerët, publikisht kërkojnë puç ushtarak, respektivisht që FSK-ja ta evakuojë Qeverinë legale dhe legjitime dhe të zëvendësohet me një qeveri ushtarake, pra një juntë ushtarake, që është karakteristikë e vendeve afrikane dhe disa vendeve të Amerikës Latine. Së këndejmi shtrohet pyetja se si mund të kualifikohet një kryeministër diktator apo autokrat kur 51.11% të votave i ka marrë nga vullneti i lirë i sovranit, e jo përmes manipulimit, vjedhjeve, shantazheve apo favoreve. Prandaj këto kualifikime janë inkriminuese, me të cilat do të duhej të merrej Prokuroria, sepse bëhet thirrje për grushtshtet dhe përmbysje të rendit kushtetues”, nënvizoi ai.
Rrjedhimisht, Musliu konsideroi se e gjithë kjo klimë e të bërit politikë ka nxitur tensione mes qytetarëve dhe rivalëve politik e që ndikimet e saj mund të jenë të mëdha edhe pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Sipas tij, opozita gjatë kësaj fushatës zgjedhore bëri edhe premtime absurde dhe antishtetërore, siç është premtimi për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë.
“Këto sjellje dhe veprime në opinion krijojnë nervozizëm që e elektrizojnë situatën, edhe ashtu të tendosur mes qytetarëve dhe rivalëve partiakë, e cila negativisht mund të ndikojë për një bashkëpunim eventual të domosdoshëm paszgjedhor për formimin e institucioneve. Në këtë arrogancë politike nuk bëhet fjalë për mospërputhje programore apo dallime ideologjike, por në pyetje janë urrejtja dhe inatet primitive, mbrojtja e pasurisë së pajustifikuar dhe privilegjet e pamerituara, e në veçanti frika nga reformat në drejtësi, ku PLAN-i do të jetë objekti qendror i llogaridhënies për të gjitha plaçkitjet, keqpërdorimet, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Prandaj opozita i përdor të gjitha mjetet dhe mundësitë për ta penguar krijimin dhe funksionalizimin e institucioneve kryesore shtetërore përmes bllokadave, duke e çuar vendin në zgjedhje të njëpasnjëshme të jashtëzakonshme.
Merreni me mend, kjo opozitë gjatë fushatës parazgjedhore bën premtime absurde dhe antishtetërore. Ajo premton se, nëse vjen në pushtet, do t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe “Zajednicën”, edhe pse dihet se ato janë të dëmshme për Kosovën, të nënshkruara nga Thaçi, Isa Mustafa, Vuçiqi dhe Daçiqi.
Atëherë, si mund qytetarët e Kosovës ta votojnë PLAN-in, të cilët, nëse vijnë në pushtet, do ta kthejnë situatën e mëparshme?! Kjo është absurd”, theksoi juristi.
Ndër të tjera, ai shtoi se, këto retorika inkriminuese do ta dëmtojnë rëndë vetë opozitën, pasi vlerëson se Kurti ende e ka mbështetjen e madhe nga qytetarët.
Madje, vlerëson se, ndëshkrimi do pasojë, si shkak i bllokadës që ia kanë bërë partitë opozitare, institucioneve të vendin, muajt e fundit.
“Përvojat e fundit zgjedhore kanë treguar se fyerjet dhe manipulimet e opinionit me gënjeshtra dhe trillime kundër Albin Kurtit me qeverisje të dinjitetshme dhe duar të pastra janë kthyer në bumerang ndaj opozitës, prandaj personalisht kam bindjen se këto retorika inkriminuese do ta dëmtojnë rëndë vetë opozitën dhe sovrani do t’iu hakmerret me votë.
Sjelljet e opozitës që bllokojnë konstituimin dhe funksionalizimin e institucioneve më vitale shtetërore nuk janë vetëm në kundërshtim me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe vetë Kushtetutën, por janë në kundërshtim edhe me Ligjin për Kuvendin, Rregulloren e Punës së Kuvendit, me vendimet e Komisionit të Venecias dhe vendimet e Parlamentit Evropian. Në vendimet e këtyre dy të fundit thuhet se Parlamenti mund të bojkotohet vetëm në rastet kur Parlamenti është jolegjitim dhe kur veprimet e tij janë në kundërshtim me interesat shtetërore, që nuk është aspak rasti me Kosovën. Kjo tregon se opozita është në rrugën më inkriminuese të mundshme, e cila përmes mosnjohjes së rezultateve legjitime të zgjedhjeve demokratike të fituara me plebishit nga sovrani, qëllimisht bllokon krijimin e institucioneve, duke shkaktuar zgjedhje të panevojshme të jashtëzakonshme, por edhe duke i sjellë dëme të konsiderueshme ekonomike, financiare si dhe imazhit ndërkombëtar të Kosovës”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.
