Lajme

Gola po merr pjesë në punimet e Sesionit Pranveror të AP-së së NATO-s

Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Ardian Gola, po merr pjesë në punimet e Sesionit Pranveror të AP-së së NATO-s, i cili po mbahet në Parlamentin e Lituanisë, në Vilnius, nga 30 maji deri më 1 qershor 2026.

Sot po zhvillohen paralelisht punimet e komisioneve parlamentare të AP-së së NATO-s për Politikë, Ekonomi dhe Siguri, si dhe për Shkencë dhe Teknologji.

Gjatë pauzës së sesioneve, z. Gola realizoi një takim bilateral me Sekretaren e Përgjithshme të AP-së së NATO-s, dr. Benedetta Berti, me të cilën diskutoi për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm të deritanishëm me AP-në e NATO-s, si dhe për forcimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi përmes zgjerimit të angazhimit të Kosovës me NATO-n. Dr. Berti rikonfirmoi mbështetjen e AP-së së NATO-s për rrugëtimin euroatlantik të Republikës sonë dhe iu përgjigj pozitivisht ftesës së nënkryetarit Gola për një vizitë në Kosovë.

Nesër do të zhvillohen punimet e komisioneve për Mbrojtje dhe Siguri, si dhe për Demokraci dhe Siguri. Z. Gola gjithashtu do të ketë një takim bilateral me Presidentin e AP-së së NATO-s, z. Marcos Perestrello.

Të hënën do të zhvillohen punimet e seancës plenare të AP-së së NATO-s, për të cilat do t’ju njoftojmë në vazhdim.

Të Ngjashme