Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, deklaroi se do të ishte “nder” për deputetët e legjislaturës së 11-të që ish-presidenti Hashim Thaçi të zgjidhej sërish në këtë post.
Profesori Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se propozimi i Ramush Haradinajt për Hashim Thaçin president mund t’i sjellë më shumë dëm sesa dobi ish-presidentit, sidomos në prag të vendimit të Gjykatës Speciale.
Sipas tij, heshtja do të ishte më e dobishme për Thaçin në këto javë vendimtare.
“Ramush Haradinaj ka propozuar që president i Kosovës të zgjidhet ish-presidenti Hashim Thaçi, tani në pritje të vendimit të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë për akuza kriminale. Po mendoja pse po e bën këtë hajgare Ramushi?!
E para që më shkon në mendje lidhet me atë se zoti Haradinaj ia ka me hile ish-presidentit Thaçi. Sepse të lobosh për ta ringritur në krye të shtetit një person i cili është në prag të marrjes së vendimit për të, do të thotë ta rrezikosh Hashim Thaçin. Gjykata nga ky moment do të besojë se kjo fushatë është e qëllimshme për denigruar gjithë procesin e hetimit dhe vendimmarrjes së saj. Dhe e vërteta është se heshtja do ta ndihmojë Hashimin në këto tri javë që kanë ngelur deri në ditën e shpalljes së vendimit” – thotë ai.
Bytyçi thotë se propozimi i Haradinajt për Thaçin është më shumë manovër politike sesa mbështetje reale, me synim edhe pengimin e një marrëveshjeje VV-LDK për një president konsensual.
“Ky arsyetim lidhet edhe me të dytën. Hashimi ka dy procese gjyqësore. Dhe pa mbaruar edhe procesi i dytë, nëse ai shpallet i pafajshëm për të parin, zor se del nga qelia. Në këto kushte minimumi i dënimit do të jetë koha e vuajtjes në paraburgim. Po kaq kohë ai do ta ketë të ndaluar marrjen me politikë dhe ushtrimin e detyrave publike. Ramushi, i sigurt për këtë ndalesë kufizuese, ndoshta dëshiron që të mbetet fjalë mirë me ish-rivalin e tij, Hashim Thaçi.
Së treti, sikur të shpallej i pafajshëm Thaçi, Rambo dëshiron të vendosë një paralele midis rastit të tij në Hagë dhe rastit të Hashimit. Në njëfarë mënyre dëshiron “të kthejë borxhin” ndaj tij. Por e sigurt është se propozimi i zotit Haradinaj për Hashim Thaçin president ka të bëjë me atë gurin që dikush e hedh në lumë dhe shkojnë njëmijë të tjerë për ta nxjerrë. Dmth ai propozim është një provokim për të intimiduar bisedimet midis VV dhe LDK-së. AAK dhe PDK janë në panik nga një marrëveshje e afruar midis Kurtit dhe Abdixhikut për zgjedhjen e një presidenti konsensual. Për ta ndaluar këtë Haradinaj dhe Lushtaku kanë shpallë tender publik për lobim kundër një marrëveshje për presidentin, e cila le jashtë loje PDK-në dhe AAK-në. Në lobim është riaktivizuar edhe McGonigali nr 2, me emrin Richard Grennell”, përfundon ai për gazetën.
