Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë numrat për ta zgjedhur presidentin, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Ai, në hollin e Kuvendit, para gazetarëve, tha se Albin Kurti tashmë e ka rrugën e hapur për ta zgjedhur presidentin, pas qëndrimit të djeshëm të LDK-së se do të votojnë për një president unifikues dhe konsensual.
Por, e bëri të qartë se PDK nuk do të përfshihet në diskutimet mes këtyre dy partive për ta zgjedhur të parin e shtetit.
Hamza iu drejtohet LVV-së dhe LDK-së: Zgjidhni presidentin, numrat i keni
“Nuk ka pengesë prej neve. Po themi: ejani, në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve, i japim vendit institucione. Bëni kryetarin e Kuvendit, formoni qeverinë dhe zgjidhni presidentin. Tash, pas qëndrimit të fundit të LDK-së, rruga është e hapur. I kanë numrat, i kanë votat, por këtë vend dhe këtë vendi e ka përgjegjësinë që LVV-ja dhe zoti Kurti t’i japin institucione, apo me mbajtë vendin në vakum institucional… Më lehtë merren vesh, dakordohen dy parti politike sesa kur bëhen më shumë. I kanë numrat… Kur ka pasur negociata për marrëveshje, pala e tretë, derisa ka përfunduar negociatat midis dy palëve, nuk është përfshirë. Nuk e ka prishur rendin e negociatave. I kanë numrat, e kanë gatishmërinë dhe nuk është në diskrecion të asnjë individi me u vendos mbi Kushtetutën”, tha ai.
Hamza nënvizoi sërish se nuk do të takohet me liderin e LVV-së, siç tha, pasi ai nuk dëshiron bashkëpunim dhe partneritet.
Sipas tij, ftesat e Kurtit janë pa përmbajtje dhe nuk janë serioze.
Hamza: Ftesat e Kurtit janë pa përmbajtje
“Zoti Kurti nuk dëshiron bashkëpunim, nuk dëshiron partneritet, por nënshtrim. PDK-ja, bazuar në të gjitha këto fakte, ka ardhur në qëndrimin e saj që ne do ta luajmë rolin tonë në Kuvend si parti opozitare, me kritikë, alternativa, por edhe përkrahje për çështje të rëndësishme të vendit. Marrëveshja financiare ndërkombëtare dhe tema të tjera të rëndësishme, por nuk mund të ketë situatë më serioze sesa suspendimi i rendit kushtetues. Mosrespektimi i rregullores së Kuvendit dhe vendimeve të gjykatave, përfshirë asaj Supreme, ku thotë se nuk mund të jesh edhe ministër dhe deputet”, theksoi Hamza.
Duke folur për aksionet e PDK-së, Hamza tregoi arsyet pse nuk ka qenë i përfshirë në aktivitetet e deputetëve të partisë së tij, si në objektin e qeverisë, ashtu edhe në Kuvend.
Hamza: Kam angazhime si kryetar, andaj mungoj te aktivitetet e deputetëve
“Si kryetar i PDK-së kam angazhime më shumë sesa deputetë të tjerë që kanë vetëm pozitën e deputetit. Sidoqoftë, unë jam mirënjohës dhe falënderues për sjelljen korrekte dhe dinjitoze të deputetëve të PDK-së… Vendi i punës së deputetëve është salla e Kuvendit. Askush nuk ka të drejtë t’i pengojë aktivitetet e deputetëve brenda sallës plenare. Unë shpreh respektin maksimal për të gjithë bashkëatdhetarët tanë. Kanë kontribuar të jashtëzakonshëm edhe gjatë periudhës së luftës dhe kontributeve financiare”, shtoi ai.
Krahas kësaj, Hamza foli edhe për ish-krerët e UÇK-së, për të cilët verdikti final nga Gjykata Speciale do të jetë më 16 shtator.
Ai tha se pret që për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe të tjerët do të jetë vendim lirues, ndërkaq kërkoi që procesi i Hagës të jetë i ndarë nga zhvillimet politike vendore.
Hamza: Ish-krerët e UÇK-së do të lirohen më 16 shtator
“Me vazhduar me besu në drejtësi, liderët tanë politikë e historikë kanë dhënë shembull që, kur është interesi i vendit, e tejkalojnë vetveten dhe ballafaqohen me një proces të padrejtë me një dobi të vërtetës. E vërteta është se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë për liri e pavarësi. Populli i Kosovës e pret me shumë interesim datën 16 shtator. Mbi bazën e saj, çka kemi parë deri tani, nuk ka asnjë arsye, as fakt e rrethanë që çon në një vendim tjetër, pos vendim lirues për ish-udhëheqësit tanë. Ajo është temë që është proces i ndarë dhe nuk kisha dashur që dikush me ndërlidh atë çështje dhe me kriju situata të pakëndshme për vendin”, përfundoi Hamza.
