Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza ka deklaruar se Kosova po përballet me reduktime të energjisë elektrike, ai u ndal fillimisht te prioritetet që, sipas tij, PDK do t’i trajtojë në ditët në vijim.
Hamza në konferencë për mediam tha se qytetarët në gjithë vendin po përballen me një situatë të rënduar, për të cilën ai fajësoi qeverinë aktuale.
Hamza: Kosova është në krizë, u shkaktua nga Kurti
“Gjithandej Kosovës, kudo që po lëvizim, siç ka qenë Ferizaj, Gjakova, Peja, dhe qytete të tjera, njerëzit e kanë një konstatim: Kosova është në krizë. Dhe kjo krizë e ka një shkaktar, dhe kjo është Kryeministri aktual dhe qeveria aktuale. Asnjë kapacitet i ri energjetik domethënës gjatë këtyre viteve. Për më tepër, dështim dhe refuzim i projekteve. Dështim i kapaciteteve në termocentrale, dështim dhe refuzim i projektit të gazit dhe projekteve të tjera energjetike. Për Partinë Demokratike të Kosovës, energjia do të thotë ekonomi, do të thotë siguri, do të thotë stabilitet makrofiskal. Gjatë këtyre ditëve do të mbajmë disa konferenca me tema edhe me tematikat e prioritetet që ka Partia Demokratike e Kosovës. Sot do të flasim për shtyllën e dytë që është energjia dhe investimet në infrastrukturë. Fatkeqësisht, në nuk kemi energji elektrike, nuk kemi drita, pjesa e madhe e qytetarëve të Prishtinës po përballen me reduktime. E kjo tregon peshën dhe rëndësinë e këtij prioriteti që e ka Partia Demokratike e Kosovës”, tha ai.
Hamza shtoi se programi i tyre përfshin edhe investime në infrastrukturë rrugore, hekurudhore dhe digjitale.
Hamza premton investime në infrastrukturën digjitale
“Edhe investime të tjera që lidhen me infrastrukturën edhe rrugore edhe hekurudhore. Gjithsesi, investimet te digjitalizimi te infrastruktura digjitale e Kosovës që Kosova jo vetëm të jetë një absorbuese apo konsumuese e shërbimeve digjitale por realisht të prodhojë edhe për të tjerët dhe të investojë edhe në këtë industri, sepse është një industri ku po krijon vende pune dhe shumë të rinj e të reja janë të fokusuar në këtë industri dhe ka nevojë me pas mbështetje, mbështetje direkte, subvencionim, direkt me grante nga të gjitha këto programe”, tha ai.
