Nga Prizreni, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar mbështetje në zgjedhjet e 7 qershorit, me ç ‘rast ka prezantuar edhe vizionin e saj për Kosovën.
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka premtuar mbështetje për bizneset, si dhe investime në shëndetësi, arsim dhe fusha të tjera.
“Shëndetësia – barna të mjaftueshme për pacientët me sëmundje kronike. Sistemi i sigurimeve shëndetësore do të zbatohet. Mjekë të paguar, të motivuar”, tha Bedri Hamza, kandidat për kryeministër nga PDK.
Në fushën e arsimit, Hamza premtoi krijimin e një fondi bursash prej 30 milionë eurosh në vitin e parë të qeverisjes.
“Arsimi është investimi më i mirë. Investimi në arsim nuk është shpenzim. Ne do të krijojmë fondin e bursave prej 30 milionë eurosh në vitin e parë, që asnjë të mos mbetet pa i përfunduar studimet si rezultat i mungesës së mjeteve financiare”, tha ai.
Hamza premtoi edhe rritje të pensioneve për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës.
