Një alarm i ri është shkaktuar nga virusi më i ri që po qarkullon, Hantavirusi, i cili ka shkaktuar shqetësim në disa vende të botës.
Teksa gjithçka nisi në një anije turistike, ku u regjistruan të infektuarit e parë, pyetja që lind natyrshëm është nëse do të kemi sërish një pandemi të re.
Mjeku Ilir Alimehmeti i ftuar në ‘Kjo javë’ në News24 përballë gazetares Nisida Tufa, deklaroi se nuk ka vend për panik, ndërsa shtoi se me këtë virus bota bashkëjeton prej 3 dekadash.
“Nuk është problematike, nuk ka arsye që njerëzit të panikosen. Është një virus që e njohim shumë mirë, prej 3 dekadash. Në luftën e Koresë është njohur ky virus. Është virus që transmetohen nga minjtë, që e dimë që sjellin sëmundje. Vetëm ideja që përmendim miun, dikujt i rrëqethet mishi. Higjienë dhe larg minjtë. Këtu bëhet show me këto spërkatje. Vret me një përqindje të lartë, por në shumë raste janë asimptomatike. Te pakica kur rëndohet gjendja, ka fatalitete. Ka një mundësi të vogël në Amerikë që të transmetohet nga njeri te njeriu. Duhet kontakt i ngushtë, intim, në ambiente shumë të ngushta, që të bëhet infektimi. Në Shqipëri kemi pasur raste më përpara me ethe hemorragjike, pasi këtu në zonën e Ballkanit kemi virusin e Beogradit. Edhe ky transmetohet indirekt nga minjtë.”, tha ai. Alimehmeti përjashtoi mundësinë e shpërthimit të një pandemie. “Nuk bëhet fjalë për pandemi. Ky virus nuk ka të tilla karakteristika. Ky eliminohet në sekondë. Këtë virus e njohim të shkruar në libra, prej 3 çerek shekulli.”, shtoi ai./BalkanWeb
