Lajme

Hapet aplikimi për kuponët e kopshteve, këto janë familjet që përfitojnë dhe afati i fundit

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka hapur thirrjen për aplikim në Programin e Kuponëve për Kopshte, nga i cili mund të përfitojnë familjet që marrin asistencë sociale dhe kanë fëmijë të moshës 3 deri në 6 vjeç.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, programi u mundëson familjeve përfituese regjistrimin e fëmijëve në kopshte private dhe publiko-private të licencuara, pa asnjë kosto për prindërit.

Thirrja është e hapur për familjet që jetojnë në 18 komuna: Vushtrri, Gjilan, Prishtinë, Pejë, Drenas, Lipjan, Ferizaj, Shtime, Viti, Fushë-Kosovë, Suharekë, Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë, Klinë, Prizren, Obiliq dhe Podujevë.

Përmes këtij programi, shteti mbulon plotësisht pagesën e kopshtit, ndërsa për fëmijët që jetojnë larg institucionit të përzgjedhur parashihet edhe mbështetje për transport, nëse plotësohen kriteret e përcaktuara.

Për të përfituar, familja duhet të jetë pjesë e Skemës së Asistencës Sociale, ndërsa fëmija duhet të plotësojë kriterin e moshës dhe të ketë vendbanimin në komunën ku aplikon për të vijuar kopshtin.

Aplikimi mund të bëhet edhe para se fëmija të mbushë 3 vjeç, përkatësisht nga mosha 2 vjeç e 6 muaj deri në 5 vjeç e 6 muaj, me kusht që vijimi i kopshtit të fillojë në moshën 3-vjeçare dhe të përfundojë me nisjen e edukimit të detyrueshëm parafillor apo fillor në një institucion publik.

Ministria ka sqaruar se përfshirja në këtë program nuk ndikon në përfitimet që familjet marrin nga asistenca sociale.

“Pjesëmarrja në Programin e Kuponëve nuk ndikon në përfitimet nga Skema e Asistencës Sociale. Familjet që tashmë përfitojnë nga programi dhe familjet që kanë përfituar nga ky program gjatë vitit shkollor 2025/26, fëmijët e të cilëve tani i takojnë grupmoshës 5-6 vjeç dhe që nuk kanë filluar edukimin e detyrueshëm parafillor në një institucion publik arsimor, duhet të riaplikojnë për vazhdimin e mbështetjes”, thuhet në njoftim.

Afati i fundit për aplikim është 10 dhjetori 2026.

Të Ngjashme