Lajme

Haradinaj: Kosova po shkon drejt zgjedhjeve

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se situata politike në vend po shkon drejt zgjedhjeve.

Para nisjes së seancës plenare, Haradinaj tha se, pavarësisht zhvillimeve politike, deputetët duhet ta shfrytëzojnë këtë periudhë për të miratuar një deklaratë kundër vendimit të Gjykatës Speciale.

Sipas tij, mesazhi duhet të jetë në përputhje me zërin e qytetarëve dhe me qëndrimin “jo në emrin tonë”.

Haradinaj foli edhe për refuzimin e opozitës për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti. Ai pretendoi se takimet e mëparshme me liderët opozitarë nuk kanë prodhuar marrëveshje dhe se ata janë ndier të tallur gjatë këtij procesi.

“Qëllimi ka qenë shkuarja në zgjedhje dhe realisht jemi në një situatë që po shkon drejt zgjedhjeve. Por do të ishte e turpshme që t’i lëmë këto ditë pa i shfrytëzuar për t’u bërë bashkë me popullin, bashkë me zërin e qytetarëve ‘jo në emrin tonë’ ky verdikt”, tha Haradinaj.

Të Ngjashme