Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka shprehur bindjen e tij se Kosova nuk mund të zhvillojë një forcë ushtarake pa mbështetjen e SHBA-së dhe NATO-s.
Ai ka theksuar se anëtarësimi në NATO duhet të jetë një qëllim kryesor për kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe për qeveritë e ardhshme.
Haxhiu ka deklaruar se në luftën e fundit të Kosovës, suksesi është arritur në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe NATO-n.
“Nëse mendon dikush se Kosova mundet të bëj ushtri pa SHBA-në dhe pa NATO-n unë mendoj që e ka gabim. Nëse ju mendoni që ka kapacitet sot Kosova me iu kundërvu e vetme Serbisë, ne kemi bërë luftë edhe me ma pak, por me e fitu pa partnerët tanë nuk kishim pas mundësi ta fitojmë. Ne luftën e kemi fituar se bashku me partnerët…”, ka thënë ai.
Ai ka vlerësuar se marrëveshja e Kumanovës dhe partneriteti me NATO janë elementët kyç në garancinë e shtetësisë së Kosovës.
Sipas tij, anëtarësimi në NATO do të siguronte shtetësinë e Kosovës dhe ndihmonte në përtëritjen e sigurisë kombëtare.
Haxhiu ka theksuar se ky qëllim nuk është për të konfrontuar NATO-n, por për të siguruar partneritetin dhe mbështetjen e tyre në rrugën drejt stabilitetit dhe zhvillimit të vendit.
“Dhe sot gradacioni i shtetësisë së Kosovës është marrëveshja e Kumanovës edhe janë partnerët tanë. Unë mendoj që angazhimi kryesor i kryeministrit Kurti dhe i çdo qeverie të ardhshme do të duhej të ishte anëtarësimi në NATO. Unë mendoj që anëtarësimi në NATO e siguron shtetësinë e Kosovës, dhe jo konfrontimi me NATO”, ka deklaruar Haxhiu në Debat Plus.