Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të refuzojë kërkesën për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve nga komuniteti serb për t’u rikthyer në sistemin gjyqësor.
Në një konferencë për media të premten, Haxhiu tha se ish-gjyqtarët e ish-prokurorët serbë janë përfshirë në shkelje të rendit kushtetues dhe juridik të Kosovës.
Haxhiu – KGJK-së: Refuzoni rikthimin e ish-gjyqtarëve serbë
“Unë sot thërras Këshillin Gjyqësor të Kosovës që të ndjek praktikën e Këshillit Prokurorial të Kosovës, por edhe vetë praktikën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Para pak kohësh unë kam liruar nga detyra një gjyqtare shqiptare. Ajo, pasi kishte dhënë dorëheqje nga sistemi për arsye personale, një javë pas kësaj në KGJK e kishte dorëzuar kërkesën për lirim nga detyra… Dyert e institucioneve tona janë të hapura për prokurorë dhe gjyqtarë serbë, por ata që nuk ndikohen nga Serbia dhe Vuçiqi. Pra, për ata që i shërbejnë drejtësisë në Kosovë”, tha ajo.
Duke folur për reagimet e vendeve partnere të Kosovës që politika të mos i bëjë presion KGJK-së në lidhje me këtë çështje, ajo tha se asnjë nga këto vende nuk do të vendoste për diçka që është në kundërshtim me ligjin në shtetet e tyre.
BE dhe disa prej ambasadave të huaja në Kosovë kanë bërë thirrje për shqyrtimin e mundësisë për kthimin e ish-gjyqtarëve e prokurorëve serbë, pas kërkesës së tyre të fundit që t’u mundësohet kthimi në vendet e tyre të punës, pasi kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022.
Shumica e përfaqësuesve serbe në institucionet kosovare, sidomos ata me seli në veri, u larguan nga institucionet e Kosovës, pas asaj që supozohet se ishte kërkesë e Beogradit, e implementuar prej Listës Serbe.
Haxhiu – ndërkombëtarëve: Kush nga ju do të lejonte gjyqtarë e prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër
“Imagjinoni në sistemin tonë të drejtësisë të kemi gjyqtarë dhe prokurorë t’i binden urdhrave të një shteti tjetër, në këtë rast të Serbisë. Kush nga partnerët tanë ndërkombëtarë, që sot bëjnë presione në këta këshilla, do të lejonte në shtetet e tyre që të kishte gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër? Kush nga këta partnerë ndërkombëtarë që na thërrasin gjithnjë në sundim të ligjit dhe pavarësi të sistemit të drejtësisë do të kërkonte nga gjyqtarët dhe prokurorët që të vendosin diçka që është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, potencoi Haxhiu.
Sipas Haxhiut, ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë serbë dyshohet se janë angazhuar me punë në strukturat paralele ilegale në veri.
Ajo tha që në rast se KGJK vendos t’i rikthejë në punë ish-gjyqtarët serbë, do të përfshihej në një rast të paprecedent dhe të rrezikshëm për vendin.
Haxhiu: Ish-gjyqtarët dhe prokurorët serbë janë lojalë ndaj Serbisë
“Referuar të dhënave që kam në dispozicion, ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë, si dhe stafi mbështetës administrativ, kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë mjete financiare në forma të ndryshme nga Serbia, që nga viti 2017 e deri tani. Edhe gjatë kohës që kanë qenë prokurorë dhe gjyqtarë në institucionet e Kosovës janë paguar nga Serbia. Lojaliteti i dëshmuar për Serbinë është shpërblyer edhe me mjete financiare në kohën kur është pritur që të njëjtit të ushtrojnë mandatin e tyre në dobi të qytetarëve dhe referuar ligjeve dhe interesave të Kosovës. Ka shumë raste, disa prej tyre janë edhe publike, ku këta ish-gjyqtarë dhe prokurorë kanë marrë pjesë në takime të ndryshme në Serbi dhe Kosovë, ku janë diskutuar plane dhe janë marrë veprime, përfshirë bllokimin e rrugëve për të kundërshtuar institucionet e Kosovës. Për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia dhe lojalitetit të dëshmuar në shumë raste, administrimi i drejtësisë ka dështuar në të kaluarën në veri”, tha ajo.
Sipas saj, kërkesa ndaj KGJK-së nuk duhet të shihet si presion, pasi është detyrë e Kuvendit të Republikës së Kosovës të angazhohet që ligjet e miratuara të zbatohen.
A po i bëhet presion Këshillit Gjyqësor të Kosovës për moskthimin e gjyqtarëve serbë?
“Nuk e shoh fare si presion, pasi është në detyrën e Kuvendit të Kosovës që të angazhohet që ligjet që nxirren nga ky vend të zbatohen. Po të kishte qenë Kuvendi i konstituuar, Komisioni për Legjislacion do të duhej t’i thërriste për raportim KGJK-në. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur më herët. Ju e dini se këta gjyqtarë dhe prokurorë kanë dhënë dorëheqje në vitin 2022, por ka pasur një pajtim që të mos bëhet zhurmë e madhe. Unë, sa kam qenë ministre e Drejtësisë, kam kërkuar vazhdimisht nga KPK dhe KGJK që të veprojnë, por nuk kanë vepruar. Ajo çka më shqetëson është presioni që mund t’i vijë nga partnerët ndërkombëtarë. Unë kam pasur takime me ta dhe iu kam thënë haptazi përgjegjësitë e mia kushtetuese. Njësoj duhet të veprojë edhe KGJK, vetëm bazuar në ligj, pasi situata është e qartë dhe e pastër”, theksoi ajo
