Lajme

Hoti nga Gjeneva: Fati i të zhdukurve nuk mund të mbetet peng i politikës

Ministri për Punë Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare në detyrë, Andin Hoti ka bërë të ditur se gjatë një vizite në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë ka ngritur çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka shkruar se në takim me përfaqësues të Komitetit të OKB-së për Zhdukjet me Forcë dhe Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, ka kërkuar angazhim më të fuqishëm ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Ai bëri të ditur se delegacioni ka dorëzuar edhe një kërkesë zyrtare për intensifikimin e përpjekjeve për sigurimin e informacioneve dhe dokumentacionit që mund të ndihmojnë në lokalizimin e personave të zhdukur.

“Familjet kanë të drejtë të dinë të vërtetën. Drejtësia dhe përgjegjësia nuk kanë afat”, ka shkruar Hoti.

Postimi i plotë:

Sot, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, zhvilluam takim me përfaqësues të sekretariatit të Komitetit të OKB-së për Zhdukjet me Forcë dhe të Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Në takim ngritëm çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe kërkuam angazhim më të fuqishëm ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të tyre.

Duke pasur parasysh se Serbia është shtet palë në Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë, kërkuam që ajo të mbahet përgjegjëse për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga kjo Konventë.

Përfaqësuesve të OKB-së u dorëzuam edhe një kërkesë zyrtare, përmes së cilës kërkuam intensifikimin e përpjekjeve ndërkombëtare për sigurimin e informacionit dhe dokumentacionit që mund të ndihmojë në lokalizimin e personave të zhdukur, zbardhjen e rrethanave të zhdukjes së tyre dhe avancimin e drejtësisë.

Çështja e personave të zhdukur me dhunë nuk mund të mbetet peng i kohës apo i vullnetit politik. Familjet kanë të drejtë të dinë të vërtetën. Drejtësia dhe përgjegjësia nuk kanë afat.

Në delegacion, së bashku me mua, ishin znj. Mirishahe Limani Hiller, themeluese e Shoqatës kulturore në Gjenevë “Dora d’Istria”, znj. Lisa Mazzone, Kryetare e Partisë së të Gjelbërve të Zvicrës, Sebastien Gricourt ish anëtar i KNKK, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe atij ukrainas.

Të Ngjashme