Lajme

Hoxha: Shqipëria nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë skenari destabilizues në Malin e Zi

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas raportimeve të mediave malazeze se Serbia dhe Shqipëria janë dy vendet të cilave kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, iu referua kur paralajmëroi për përpjekje të mundshme për destabilizimin e vendit përmes veprimtarive hibride.

Hoxha shkruan se deklarata e kryeministrit malazez dhe interpretimet mediatike që pasuan duhet të trajtohen me rezervën e nevojshme, duke theksuar se ndaj Shqipërisë nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht.

“Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër”, u shpreh ministri Hoxha.

Ai theksoi se Shqipëria, sipas tij, “bën pikërisht të kundërtën”, duke investuar në bashkëpunimin, mirëkuptimin, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, si dhe në bashkëpunimin më të gjerë evropian dhe euroatlantik.

Hoxha tha gjithashtu se interpretimet mediatike dhe debatet e brendshme politike në një vend fqinj nuk duhet të krijojnë artificialisht probleme mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, në të gjitha nivelet, dhe këtë kam bërë edhe në këtë rast, në komunikimet që kam pasur me ZvKM dhe MPJ, Ibrahimoviç, si dhe me ZvKM, Nik Gjeloshaj”, deklaroi ai.

Ministri i Jashtëm iu drejtua edhe aktorëve politikë në Shqipëri, duke theksuar se ata mund të marrin nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme çdo informacion të nevojshëm për të shmangur debate të panevojshme.

“Politika e jashtme kërkon gjithnjë qetësi, maturi dhe përgjegjësi”, përfundoi Hoxha.

Media malazeze “Vijesti”, duke iu referuar disa burimeve të saj, raportoi se bëhet fjalë për zyrtarë nga të paktën dy vende të rajonit, ndërsa Spajiç deklaroi se autoritetet malazeze disponojnë informacione serioze operative të sigurisë se mbyllja e pritshme e kapitujve të rinj në negociatat me Bashkimin Evropian mund të shoqërohet me veprimtari hibride të koordinuara.

Një sqarim përpara se të bëhemi pjesë e zhurmës apo të ndezim zjarre të panevojshëm, që duan shumë më tepër kohë për t’u shuar.

Kam parë deklaratën e Kryeministrit të Malit të Zi, @MickeySpajic, për përfshirjen e pretenduar të zyrtarëve nga “të paktën dy vende të rajonit” në…

— Ferit Hoxha🇦🇱 (@HoxhaFer) August 28, 2026

Të Ngjashme