Eurodeputetja gjermane, Anna Strolenberg, ka reaguar për protestat studentore në Shqipëri, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për situatën e krijuar dhe duke kërkuar që Bashkimi Evropian dhe vendet e ndryshme të dënojnë dhunën e shënuar gjatë tubimeve.
Në një reagim në rrjetet sociale, Strolenberg thotë se ka parë video shqetësuese të përdorimit të forcës nga Policia ndaj protestuesve, megjithatë, sipas saj, përgjegjësia kryesore për situatën i takon kryeministrit Edi Rama.
“Përfundimi im, megjithatë, është i qartë, Edi Rama është shkaku i gjithë kësaj”, shprehet eurodeputetja, ndërsa akuzon kryeministrin se ka trajtuar me arrogancë protestuesit paqësorë të Flamingos.
Strolenberg kritikon gjithashtu atë që e konsideron mungesë vullneti për të luftuar realisht korrupsionin dhe për të ndërmarrë ndryshime domethënëse në vend. “Nuk po tregon asnjë vullnet për të luftuar realisht korrupsionin dhe për të ndërmarrë ndryshime domethënëse në vend”, thotë ajo.
Eurodeputetja thekson se dëshiron që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, por nënvizon se procesi i integrimit duhet të shoqërohet me respektimin e të drejtave të qytetarëve.
“Nëse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të ketë një qeveri që respekton të drejtat themelore të qytetarëve të saj”, thekson Strolenberg, duke bërë thirrje për presion ndaj autoriteteve shqiptare.
