Lajme

Mbeturinat në Prishtinë, Pacolli njofton gjoba ndaj institucioneve përgjegjëse

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se institucionet përgjegjëse për situatën me mbeturinat në Prishtinë janë gjobitur, pas inspektimit të kryer nga inspektorati i ministrisë.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka bërë të ditur se gjatë inspektimit është konstatuar një gjendje e rëndë mjedisore, e cila, sipas saj, po rrezikon drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.

Ajo ka kritikuar institucionet përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave, duke theksuar se kjo është një nga detyrat themelore të qeverisjes lokale.

Ministrja ka kritikuar gjithashtu bartjen e përgjegjësisë ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe ndërmarrjes publike, duke e cilësuar këtë si përpjekje për të fshehur dështimin në menaxhimin e situatës.

Pacolli ka përmendur edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, duke kërkuar përgjegjësi nga zinxhiri menaxhues për gjendjen e krijuar.

“Neglizhenca nuk mund të normalizohet. Kushdo që nuk i kryen detyrat dhe i lë qytetarët të përballen me këtë rrezik, duhet të mbajë përgjegjësi të plotë, pa pasur mundësi t’i shmanget asaj duke e pasuar fajin te tjetri”, ka shkruar ajo.

Në fund të reagimit, Pacolli ka theksuar se ligji do të zbatohet, ndërsa dështimi do t’u faturohet të gjithë atyre, pa dallim, që po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.

Të Ngjashme