Aktuale

Humbi jetën në mënyrë tragjike në Manhattan, ekspertët zbulojnë detaje tronditëse për shqiptaren Donike Gocaj!

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Nju Jorkun, pasi një grua shqiptare humbi jetën në mënyrë tragjike pasi ra në një pusetë të hapur në Manhattan. Viktima është identifikuar si Donike Gocaj, 56 vjeçe, me origjinë nga Shqipëria, e cila jetonte në Westchester County. Sipas mediave amerikane, gruaja kishte parkuar automjetin pranë dyqanit luksoz Cartier në Midtown Manhattan, kur vetëm pak hapa pasi zbriti nga makina, u zhduk brenda një pusete të hapur që ishte mbushur me avull dhe ujë të valë.

Ekspertët e mjekësisë ligjore konfirmuan se shkaku i vdekjes ishte kombinimi i traumave të forta në trup, djegieve të rënda dhe dëmtimeve fatale nga thithja e avullit të nxehtë. Ish-zyrtarë të mjekësisë ligjore në Nju Jork deklaruan se dëmtimi më i madh ka ardhur nga avulli që i ka shkatërruar mushkëritë dhe aftësinë për të marrë oksigjen.

Një dëshmitar në vendngjarje tregoi momentet dramatike, duke thënë se gruaja bërtiste vazhdimisht “po vdes” nga brenda pusit, ndërsa kalimtarët tentonin ta ndihmonin me shkallë dhe mjete të improvizuara. Sipas kompanisë Con Edison, kapaku i pusetës dyshohet se ishte zhvendosur vetëm pak minuta më parë nga kalimi i një kamioni të rëndë. Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për rastin. Familjarët e përshkruajnë Donike Gocajn si një nënë dhe gjyshe të përkushtuar, ndërsa miqtë tregojnë se ajo po shkonte në punë për turnin e natës kur ndodhi tragjedia.

Të Ngjashme