Lajme

​Hyseni: Kosova mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së mjedisit

Zëvendësministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Driton Hyseni, tha se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së mjedisit, reformimit të planifikimit hapësinor dhe menaxhimit të qëndrueshëm të ujërave.

Këtë qëndrim e paraqiti në Forumin Ndërkombëtar Energjetik në Maqedoninë e Veriut– MEF 2026, në të cilin përveç projekteve të shumta në sektorin e energjisë, çështjet e mjedisit dhe planifikimit hapësinor ishin temat qëndrore të diskutimeve.

“Diskutuam për sfidat dhe mundësitë që sjell tranzicioni i gjelbër në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar nevojën që rajoni ynë të jetë jo vetëm pjesë e diskutimeve globale për klimën, por edhe pjesë aktive e zgjidhjeve.

Gjatë diskutimeve u ndalëm te rëndësia e planifikimit hapësinor si linjë e parë e mbrojtjes ndaj krizave mjedisore dhe natyrore. Përvoja dhe mësimet nga procesi i rimëkëmbjes në Hatay të Turqisë dëshmojnë se zhvillimi i qëndrueshëm kërkon respektim të natyrës, mbrojtje të zonave të gjelbra dhe shmangie të ndërtimeve në zonat me rrezikshmëri.

Po ashtu, prezantuam prioritetet e Kosovës në mbrojtjen e ujërave, përfshirë vendimin për heqjen e barrierave artificiale në lumenjtë e vendit, si një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të rrjedhës natyrore të tyre dhe rehabilitimit të ekosistemeve.

Në prag të COP31, ritheksuam nevojën që Kosovës t’i mundësohet qasje më e drejtë në financat klimatike dhe hapësirë për të prezantuar prioritetet e saj mjedisore para partnerëve dhe investitorëve ndërkombëtarë.

Kosova mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së mjedisit, reformimit të planifikimit hapësinor dhe menaxhimit të qëndrueshëm të ujërave”, shkroi zëvendësministri Hyseni.

Të Ngjashme