Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar pasi e ka pranuar fajësinë i akuzuari për kanosjen ndaj tij, Eqrem Avdullahu.
Pas përfundimit të seancës, në Gjykatën Themelore në Drenas, Gucati ka thënë se do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore ndaj të gjithë personave që fyejnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe veteranët e saj.
Gucati ka thënë se ka ngritur edhe padi të tjera ndaj personave të cilët e kanë kërcënuar.
“Ju e patë edhe vetë, për personin i cili më ka kërcënu edhe më fyen, po edhe më thotë që unë e marr pagën qe 9 vite pa punu fare në shkollë. Kjo gjë është e pavërtetë, është e paqëndrueshme. Unë ia kam lënë drejtësisë këtë rast edhe drejtësia do të merret me këtë personin. Ky s’është i pari, do të thotë unë kam ngrit shumë padi, edhe të tjera padi që në ditët në vijim, tash janë të ardhura ato prej Gjermanie, prej Austrie, prej vendeve të ndryshme, të cilët e kanë fyer Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës edhe mu si person vetë, apo si kryetar i veteranëve të radhës së invalidëve të luftës. Kështu që, unë i kisha bo ftesë çdo veterani apo çdo invalidi, ata të cilët e ndjejnë veten të fyer nga këta persona të cilët quhen me na shantazhu dhe me shajt luftën e UÇK, të bëjnë padi. Nuk kemi nevojë ne mes veti të fjalosemi, po të bëjmë padi. Secili veteran apo secila familje e dëshmorit edhe invalidi të bëjnë padi dhe ne kemi me iu drejtu drejtësisë, edhe drejtësia është ajo e cila do të merr vendim për këta persona”, tha ai.
Ai bëri të ditur se ka iniciuar padi edhe në Gjermani e Zvicër ndaj personave të tjerë që, sipas tij, kanë fyer UÇK-në dhe atë personalisht.
“Unë i kam bo padi edhe në Zvicër, dy njerëzve i kam bo edhe në Gjermani në Dortmund. Njëri është nga Skenderaj, tjetri është nga Malisheva. Kështu që i kam bërë padi edhe për ata dy personat. Me anë të avokatëve në Gjermani i kam informatat të cilat i kanë kap policia gjermane, kur do ta ekstradojnë nuk e di. Kështu që e presim atë sa më shpejt me ardhë këtu edhe mos t’i harroj çka i kam bo unë. Tash ky zotëria, e patë edhe ju, mua më vjen keq, një burrë i moshuar, shkruan në Facebook, shan, fyen edhe thotë që mbyllet me pushkatim. Unë sot jam gjallë, fatmirësisht kam familje edhe unë. Kemi familje të ngushtë secili prej juve që keni familje. Familja s’e ka ndjerë veten shumë mirë edhe në fund jam kryetar i veteranëve, nuk duhet ta fyejë integritetin tim. S’du t’i lejohet askujt që të merret me integritetin tim”, tha ai.
Kurse, avokati i Gucatit, Halim Shala, tha se qëllimi i tyre është që raste të tilla të marrin epilog ligjor dhe të mbrohet integriteti i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
