Aktuale

I cilësuar si një nga njerëzit më besnik të Ilir Prodës, kryepolici Skënder Hita përjashton nga detyra Uljan Shpatarakun: Nuk paraqitej në punë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vendosur përjashtimin nga radhët e policisë të punonjësit Uljan Shpataraku, i konsideruar më herët si një nga njerëzit më të afërt të ish-drejtorit Ilir Proda.

Sipas gazetares Xhensila Kodra, masa e përjashtimit është marrë me motivacionin e mosparaqitjes së rregullt në detyrë, një shkelje që është vlerësuar si e përsëritur në kohë.

Shpataraku, i cili mbante funksionin e Asistentit në Departamentin për Teknologjinë e Informacionit në Policinë e Shtetit, ishte pezulluar më herët, në muajin mars të këtij viti, nga Sokol Bizhga, në atë kohë Drejtor i Përkohshëm i Policisë së Shtetit. Edhe ky vendim ishte marrë me të njëjtin motivacion.

Në vendimin e marsit, ndaj tij është argumentuar moszbatimi i dispozitave ligjore në përmbushjen e detyrave funksionale.

Mësohet gjithashtu se Shpataraku ishte duke ndjekur studimet master në Akademinë e Sigurisë, ndërsa dyshohet se, me arsyetimin e vijimit të studimeve, nuk paraqitej rregullisht në vendin e punës.

Sipas procedurave, Shpataraku ka të drejtën e ankimit ndaj vendimit të përjashtimit, ndërsa komisioni përkatës pritet të shqyrtojë rastin dhe të konfirmojë ose rrëzojë vendimin brenda një muaji.

Të Ngjashme