Janë identifikuar 4 personat, të cilët humbën jetën në një aksident tragjik në Maqedoninë e Veriut, si pasojë e përplasjes së një kamioni me targa të Kosovës, me një makinë ‘BMW’.
Ministria e Punëve të Brendshme, sqaron se 76-vjeçari nga Kosova me iniciale B.B., i cili po drejtonte kamionin ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe ka kaluar përmes gardhit metalik në drejtimin e kundërt të autostradës, ku është përplasur me veturën ‘BMW’ me targa të Shkupit, të drejtuar nga R.V. 51 vjeç nga Shkupi.
Pas përplasjes, në të dyja automjetet ka shpërthyer zjarr, ku makina dhe kabina e kamionit janë djegur plotësisht.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërruar jetë shoferi i makinës ‘BMW’ R.V si dhe pasagjerët A.V. 20 vjeç dhe P.M. 20 vjeç nga Shkupi. Viktimë ka mbetur edhe një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk është përcaktuar.
Nga MPB bëjnë të ditur se shoferi i kamionit është arrestuar dhe është ndaluar në stacion policor.
“Pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit do të parashtrohet kallëzim përkatës”, thuhet në njoftimin e policisë.
