Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka përmbyllur ciklin e nëntë punëtorive të organizuara në nivel vendi, të cilat kishin për qëllim forcimin e integritetit profesional dhe rritjen e llogaridhënies në Policinë e Kosovës.
Punëtoria e nëntë dhe e fundit për këtë vit është mbajtur të premten në Prishtinë, me pjesëmarrjen e eprorëve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, Policia Kufitare dhe njësitë e specializuara.
Ndërkaq, tetë punëtoritë paraprake janë organizuar në të gjitha drejtoritë rajonale të Policisë së Kosovës, ku kanë marrë pjesë eprorë dhe menaxherë policorë nga nivele dhe njësi të ndryshme organizative.
Në këto aktivitete kanë kontribuar edhe eprorë nga Drejtoria për Hetime të Brendshme e Policisë së Kosovës, duke ndarë përvojat e tyre në trajtimin e temave të ndryshme.
Sipas njoftimit të IPK-së, gjatë punëtorive janë trajtuar çështje që lidhen me integritetin profesional, respektimin e të drejtave të njeriut, menaxhimin dhe mbrojtjen e informacionit konfidencial, si dhe komunikimin me qytetarët dhe ndikimin e tij në ndërtimin e besimit të publikut në Policinë e Kosovës.
Përmes diskutimeve interaktive, shkëmbimit të përvojave dhe trajtimit të situatave praktike, synohet të fuqizohet kultura e integritetit, mbikëqyrja profesionale, përgjegjësia menaxheriale dhe zbatimi i standardeve të larta të llogaridhënies në të gjitha nivelet e organizimit policor.
Në fund, IPK-ja ka falënderuar Misionin e OSBE-së në Kosovë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në realizimin e këtij cikli të punëtorive dhe aktiviteteve të tjera që synojnë forcimin e kapaciteteve institucionale dhe integritetit policor.
