Një incident shqetësues raportohet të ketë ndodhur sot gjatë largimit të Jakup Krasniqit, nga shtëpia ku po qëndron për vizitë familjare. Pjesëtarë të EULEX-it dyshohet se u kanë drejtuar armët familjarëve të Krasniqit, pasi këta të fundit po e xhironin me telefona momentin e largimit të tij.
Sipas informacioneve nga mediat në Kosovë, incidenti ka ndodhur në momentin kur pjesëtarët e EULEX-it kishin shkuar për ta marrë Jakup Krasniqin pas përfundimit të vizitës së sotme pranë familjes.
Familjarët e tij po regjistronin me celularë pamje nga largimi i Krasniqit prej ambienteve të shtëpisë, kur pjesëtarë të misionit evropian dyshohet se kanë reaguar duke ua drejtuar armët.
EULEX-i ka mbërritur me katër fuoristrada për të shoqëruar Jakup Krasniqin, i cili ndodhet përkohësisht në Kosovë për një vizitë të lejuar për arsye humanitare. Gjatë largimit të tij është raportuar edhe për pengimin e gazetarëve që po tentonin të realizonin pamje.
