Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, gjenerali Mohsen Rezaei, ka paralajmëruar se Teherani do të zgjerojë objektivat e tij ushtarake, duke përfshirë edhe bazat amerikane në Evropë, në rast se Shtetet e Bashkuara ndërmarrin një sulm të ri kundër Iranit.
Në një intervistë për televizionin libanez Al Mayadeen, Rezaei deklaroi se në rast të një sulmi amerikan, Irani nuk do të kufizohet vetëm te bazat ushtarake amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme, por do të godasë edhe objektiva më të largëta, në zona që deri më tani nuk janë sulmuar.
Ai theksoi se bazat ushtarake amerikane në vendet evropiane do të konsiderohen objektiva të mundshme nëse avionët amerikanë nisen prej tyre për të kryer sulme kundër Iranit, raporton Al Jazeera.
Duke folur për zhvillimet diplomatike, Rezaei tha se prioriteti i parë i Iranit në çdo proces negociues me Shtetet e Bashkuara është përfundimi i luftës në të gjitha frontet, veçanërisht në Liban.
Megjithatë, ai bëri të ditur se aktualisht nuk po zhvillohen negociata mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Sipas tij, Irani ka paraqitur shtatë kushte dhe është në pritje të përgjigjes nga pala amerikane.
Rezaei foli gjithashtu për një nismë rajonale, duke deklaruar se Irani është i vendosur të krijojë një union të vendeve të Gjirit Persik, ku do të përfshiheshin Omani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Katari, Bahreini, Kuvajti, Iraku dhe Irani.
