Lajme

Shtatë vjet burgim dhe 500 euro gjobë për grabitje në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me shtatë vjet burgim dhe 500 euro gjobë të pandehurin A.M., shtetas i Kosovës, pasi e ka shpallur fajtor për veprën penale “Grabitja”.

Sipas njoftimit të Gjykatës, aktgjykimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sulltan Dobraj, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor.

“I pandehuri A.M., akuzohet se me datën 01.06.2026, rreth orës 17:50 minuta, prapa këndit të lojërave Kids Center, në rr. Ferid Domi në Gjakovë, së bashku me të miturit I.A. dhe A.A., fillimisht lënë takim me të dëmtuarin E.B.”, thuhet në komunikatë.

Sipas Gjykatës, pasi janë takuar, i pandehuri i është afruar të dëmtuarit dhe e ka kapur çantën e tij, duke mbajtur një thikë në dorë.

Gjatë përleshjes, ai e ka goditur disa herë të dëmtuarin në krahun e majtë me dorezën e thikës, më pas ka prerë rripin e çantës dhe ia ka marrë atë.

Nga portofoli që ndodhej në çantë, i pandehuri ka marrë 115 euro.

“Pastaj, pasi e kontrollon çantën, revoltohet dhe, së bashku me të miturit, përsëri e godasin me grushte të dëmtuarin në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit në formë të shkruar.

Të Ngjashme