Aktuale

Arrestohet ish-ministri i Ekonomisë, i shkaktoi dëm prej miliona eurosh ndërmarrjes publike

Në Elbasan, ndihma ekonomike dyshohet se është përdorur për të siguruar vota në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Por ajo që e bën edhe më të rëndë këtë histori është fakti se, pasi zgjedhjet përfunduan dhe Sara Mila siguroi mandatin e deputetes, dhjetëra familje u përjashtuan nga skema e ndihmës ekonomike. VNA ka lexuar një pjesë të dosjes hetimore, ku dëshmitë e punonjësve të Shërbimit Social dhe komunikimet e administratës zbulojnë mekanizmin e dyshuar të përdorimit të ndihmës ekonomike për qëllime elektorale.

Votat nuk blihen vetëm me para. Por edhe përmes premtimit për vende pune, fshirjes së debive të energjisë elektrike, legalizimit të banesave apo trajtimit me ndihmë ekonomike. Kështu ndodh me qytetarët e thjeshtë, sepse grupet kriminale kërkojnë paprekshmëri nga institucionet, leje për parqe fotovoltaike, kulla dhjetëkatëshe apo resorte luksoze, emërimin e të besuarve të tyre në institucione kyçe dhe më pas fitimin e tenderave milionësh.

Dhe qarku Elbasan është më tipiku sa i përket korrupsionit zgjedhor. Akuzë e cila solli në SPAK edhe deputeten më të votuar të qarkut, Sara Mila, e cila siguroi një ulëse në Parlament, e ndjekur nga dyshimet se u ndihmua nga grupet kriminale në qytet.

Po si nisi hetimi për korrupsion zgjedhor, që mund të çojë drejt një akuze të mundshme superdeputeten Mila?

Rezulton se Drejtoria e Shërbimit Social në Elbasan ka trajtuar me ndihmë ekonomike dhjetëra familje, duke iu kërkuar në këmbim që ata të votonin Sara Milën në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Nga hetimi i kryer nga Prokuroria e Elbasanit, e cila e përcolli më pas dosjen drejt SPAK që të hetohet roli i Milës, rezulton se është rritur fiktivisht numri i familjeve që janë trajtuar me ndihmë ekonomike. Por kur janë kryer verifikimet, rezulton se aplikimet për qytetarët janë bërë nga vetë punonjësit e Shërbimit Social në Elbasan. Shumë prej përfituesve nuk rezultonin brenda vendit, e megjithatë, ndonëse në emigracion, trajtoheshin me ndihmë ekonomike.

Komunikimet e punonjësve të Shërbimit Social Shtetëror janë prova kryesore në dosje, ku në këto komunikime me drejtuesin e institucionit del edhe vetë deputetja Mila.

Punonjësit kanë deklaruar para prokurorëve se drejtoresha e institucionit i ka orientuar që në mars 2025, pasi kishte nisur fushata zgjedhore, të rrisnin numrin e familjeve që trajtoheshin me ndihmë ekonomike.

Por skandali nuk përfundon këtu. Pasi zgjedhjet përfunduan dhe Sara Mila siguroi mandatin si deputetja më e votuar e qarkut, rezulton se familjeve që trajtoheshin me ndihmë ekonomike iu është hequr kjo ndihmë.

“Nga verifikimet dhe përfitimet e shtetasve të listuar në vendimin e sekuestrimit të datës 29.05.2026 për dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 01.10.2024-01.04.2025 nga ku ka rezultuar se rreth 55 familje nga 60 që ishte kampioni i hetimit janë përjashtuar nga skema e Ndihmës Ekonomike në muajt Maj-Qershor 2026. Kjo periudhë korespondon me kohën kur Prokuroria Elbasan kishte filluar hetimin e ceshtjes objekt gjykimi dhe kishte filluar të thirte për deklarime shtetasit me detyra shtetërore”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Elbasanit.

Mila dha këtë të mërkurë shpjegime në SPAK. Në dalje ajo tha se është një betejë për dinjitetin dhe për t’i dhënë fund kalvarit të gjatë të hedhjes së baltës mbi të nga politika e vjetër.

Por “superdeputetja” nuk dha asnjë shpjegim nëse ka ndikuar që qytetarët të trajtoheshin me ndihmë ekonomike në këmbim të votës. U fsheh pas shprehjes: “Është sekret i hetimit.”

Në fund, ajo që mbetet nga kjo histori është një bilanc që flet vetë: Sara Mila e ka ende mandatin e deputetes, ndërsa 55 nga 60 familjet e verifikuara nuk e kanë më ndihmën ekonomike. Në Elbasan, sipas dyshimeve të hetimit, varfëria mund të ketë vlejtur për të mbledhur vota, por jo për të vazhduar pagesat. Mandati zgjat katër vjet. Ndihma ekonomike, sa të ketë nevojë politika.

Të Ngjashme