Bordi i Karburanteve ka fiksuar këtë të mërkurë çmimet e reja të tregtimit të naftës, benzinës dhe gazit, si me shumicë ashtu dhe me pakicë. Për herë të disatë, u vu re një ulje e ndjeshme e çmimeve, ndërsa për herë të parë në vendimmarrje u përfshi dhe gazi.
Çmimet tavan/maksimale të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve, pas zbatimit të metodologjisë të përcaktuar në ligjin nr. 8450, datë 24.2.1999, i ndryshuar, janë si më poshtë:
Çmimet tavan (max), për shitjen me shumicë të produkteve:
– 193 Lekë/litri për gazoilin;
– 152 Lekë/litri për benzinën;
– 56 Lekë /litri për gazin e lëngshëm të naftës.
Çmimet tavan (max) për shitjen me pakicë të produkteve:
– 205 Lekë/litri për gazoilin;
– 164 Lekë/litri për benzinën;
– 68 Lekë /litri për gazin e lëngshëm të naftës.
Efektet e këtij vendimi kanë filluar sot, në orën 14:00 dhe do të jenë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit. Për herë të parë, u vendos që të përcaktohej një kufi minimal dhe maksimal për tregtimin e gazit për shkak të abuzimit.
Siç dihet, një numër relativisht i lartë qytetarësh përdorin makinat me benzinë/gaz për shkak se ky lloj karburanti është më i lirë dhe rrjedhimisht me ekonomik, në një kohë kur nafta dhe benzina kapën nivele mbi 200 lekë për litër.
