Lajme

Opozita përballë Konjufcës: Kritika për arsimin, korrupsionin dhe përgjegjësinë e Qeverisë

Pas paraqitjes së ministrit Glauk Konjufca, ka reaguar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës  Besnik Tahiri, i cili ka kritikuar Qeverinë për gjendjen e procesit të integrimit evropian.

Tahiri ka thënë se çështjet e përmendura nga Konjufca, si përfaqësimi gjinor në Kuvend, moszgjedhja e kryeprokurorit dhe çështja e Akademisë së Drejtësisë, nuk e arsyetojnë gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet Kosova në raport me integrimin evropian.

“Leximi i fjalës suaj në asnjë moment as nuk justifikon, as nuk demanton disa nga ngecjet tona kryesore. Referimet e kota gjinore në Parlamentin e Kosovës, pastaj se janë gjashtë kryetare të komisioneve, duke vazhduar te zgjedhja e kryeprokurorit, e ai kryeprokuror nuk u zgjodh për katër vite nga ky Kuvend, nga kjo Qeveri, pastaj referimet te çështja e Akademisë së Drejtësisë e kështu me radhë, nuk janë çështje që më mundojnë dhe as nuk duhet të të preokupojnë ty e as të mundohesh të justifikosh një pozicion shumë të keq”, tha Tahiri.

Tahiri u bëri thirrje ministrit Konjufca dhe Qeverisë që ta marrin më seriozisht raportin për integrimin evropian dhe të mos shmangin përgjegjësinë.

“Po e përsëris për ju dhe qytetarët e Kosovës,  letërnjoftimi i Kosovës sot në raport me integrimin evropian është shumë i thjeshtë: Kosova nuk është vend kandidat. Në dhjetor të vitit 2022 kemi aplikuar për kandidaturë dhe nuk ka ndodhur asgjë. Kosova është vendi i vetëm që i ka humbur 46 milionë euro dhe rrezikon t’i humbasë edhe 131 milionë euro. Ajo që ju them juve si ministër dhe Qeverisë: hiq dorë nga përgjegjësia e integrimit evropian. Ki shumë gjëra të tjera. Merrni dikë nga kabineti, ngriteni nivelin dhe merreni seriozisht këtë raport, i cili është i keq për vendin”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka kritikuar zëvendëskryeministrin Glauk Konjufca gjatë diskutimit për Raportin e Progresit, duke ngritur çështje që lidhen me arsimin, korrupsionin dhe përgjegjësinë e Qeverisë.

Lushaku ka pyetur se çfarë e ka penguar Ministrinë e Arsimit që të harmonizojë kurrikulat me tregun e punës dhe të realizojë riorganizimin e shkollave.

“Kush e ka ndaluar Ministrinë e Arsimit që t’i harmonizojë kurrikulat me tregun e punës? Çfarë kompetencash i janë dashur Ministrisë së Arsimit për ta bërë riorganizimin e shkollave?

Tjetra, fakt është që po mundoheni t’ia hidhni përgjegjësinë krizës politike, bojkotimit ose zgjedhjeve. Por, dua t’ju kujtoj se ky Raport i Progresit e kritikon shpërndarjen lineare të parave në kohë zgjedhjesh, për të mos thënë blerjen e votave. Po ashtu, asnjëherë nuk e përmendët korrupsionin, përderisa vetë Qeveria, edhe me kompetenca në detyrë, ka mundur ta harmonizojë dhe ta sjellë këtu Strategjinë Kundër Korrupsionit. Dhe e fundit që desha të them është se po e merrni si arritje emërimin e koordinatorit për integrim evropian. Qeveria juaj, në vend të kësaj, është dashur të tregojë seriozitet dhe të ketë një ministër për integrim evropian”, tha Lushaku.

Në kundërpërgjigjen e tij, zëvendëskryeministri Glauk Konjufca tha se i kishte dëgjuar me vëmendje kritikat e tyre , por theksoi se disa nga çështjet e ngritura nuk trajtohen në mënyrë specifike në Raportin e Progresit.

“Ju dëgjova me vëmendje kritikat që ia bëtë Qeverisë. E para, këtu ngritët shumë çështje të cilat Raporti i Progresit nuk i trajton fare. Pra, i bëtë më shumë për ballafaqim politik. Unë këtë e kuptoj, domethënë, Parlamenti e ka edhe këtë funksion. Për shembull, arsimi dual dhe reformat në funksion të përafrimit të arsimit me nevojat e ekonomisë. Nuk është kjo çështja për të cilën Raporti i Progresit merret në mënyrë specifike. Kjo është një kritikë që opozita mund t’ia bëjë Qeverisë. Pajtohem, por duhet t’i përmbahemi Raportit të Progresit”, u kundërpërgjigj Konjufca.

Të Ngjashme