Lajme

Hyseni viziton Preshevën, takohet me Ardita Sinanin: Gjilani do të jetë gjithmonë pranë shqiptarëve të Luginës

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka zhvilluar një vizitë në Preshevë, ku është takuar me kryetaren e kësaj komune, Ardita Sinani.

Pas takimit, Hyseni ka bërë të ditur se me Sinanin kanë diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave, realizimin e projekteve të përbashkëta, koordinimin institucional dhe shkëmbimin e përvojave.

Përmes një postimi në Facebook, Hyseni ka theksuar se Gjilani dhe Presheva nuk lidhen vetëm nga afërsia gjeografike, por edhe nga vlerat, historia dhe synimet e përbashkëta.

Postim i plotë:

Gjilani dhe Presheva, dy komuna të lidhura jo vetëm nga afërsia gjeografike, por edhe nga vlerat, historia dhe synimet e përbashkëta.

Sot, gjatë vizitës në Preshevë, pata kënaqësinë të takohem me Kryetaren e Komunës, znj. Ardita Sinani, me të cilën zhvilluam një bashkëbisedim të ngrohtë e miqësor për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave tona.

Diskutuam për mundësitë e realizimit të projekteve të përbashkëta, koordinimin institucional dhe shkëmbimin e përvojave që do të kontribuojnë në zhvillimin e komunave tona dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Me këtë rast, e urova kryetaren Sinani për rezultatin e zgjedhjeve të fundit, duke i dëshiruar suksese në vazhdimin e angazhimit të saj në shërbim të qytetarëve të Preshevës dhe shqiptarëve të Luginës.

Gjilani ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë pranë Preshevës!

E falënderoj kryetaren Sinani për mikpritjen e përzemërt dhe gatishmërinë për ta kthyer bashkëpunimin tonë në projekte e rezultate konkrete për qytetarët tanë.

Të Ngjashme