Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe drejtorin e NALT-it, gjeneral brigade Thomas Schulte-Borghoff, kanë vizituar dy ekipet mjekësore të FSK-së, të cilat po i nënshtrohen procesit të validimit të kapaciteteve mjekësore të nivelit Role 1.
Gjatë kësaj vizite, drejtuesit e institucioneve të mbrojtjes janë njoftuar nga afër me përgatitjet, pajisjet dhe kapacitetet operacionale të ekipeve mjekësore, të cilat po vlerësohen nga Qendra e Ekselencës së NATO-s për Mjekësinë Ushtarake.
Lidhur me këtë vizitë, Maqedonci ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi për zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së dhe përafrimin e tyre me standardet e Aleancës Veri-Atlantike.
“Ky proces përbën një hap të rëndësishëm drejt avancimit të kapaciteteve mjekësore të FSK-së, përmbushjes së standardeve të NATO-s dhe forcimit të ndërveprueshmërisë me ushtritë e vendeve aleate”, ka shkruar Maqedonci.
Validimi i kapaciteteve Role 1 synon të vlerësojë gatishmërinë dhe aftësinë e ekipeve për të ofruar shërbime fillestare mjekësore në mbështetje të operacioneve ushtarake, në përputhje me kërkesat dhe standardet e NATO-s.
