Irani tha të martën se do të takohet me ndërmjetësuesit e Katarit në Doha të mërkurën për të diskutuar zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit SHBA-Iran, duke përfshirë lirimin e aseteve të ngrira iraniane, ndërsa përjashtoi bisedimet e drejtpërdrejta me SHBA-në.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baghaei, tha se diskutimet në Doha do të përqendrohen në zbatimin e klauzolave të memorandumit, sipas transmetuesit zyrtar të vendit IRIB.
“Ajo që do të bëhet në Doha nesër (të mërkurën) është një diskutim rreth zbatimit të klauzolave të memorandumit të mirëkuptimit, përfshirë lirimin e aseteve të ngrira të Iranit, të cilat janë me palën e Katarit”, tha Baghaei, citon Anadolu.
Ai theksoi se Teherani nuk ka plane të takohet me palën amerikane në ditët në vijim.
“Në thelb, ne nuk kemi plane për t’u takuar me palën amerikane në asnjë nivel në ditët në vijim”, tha ai.
Komentet e tij erdhën pasi Katari tha se të dërguarit e SHBA-së Steve Witkoff dhe Jared Kushner janë në Doha për t’u takuar me ndërmjetësuesit dhe për të diskutuar progresin e negociatave me Iranin.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, tha se transferimi i 6 miliardë dollarëve nga 12 miliardë dollarët e fondeve të ngrira iraniane “do të miratohet nga SHBA-të dhe Irani”, duke konfirmuar se fondet nuk janë transferuar ende në Teheran.
Çështja e fondeve të ngrira “është e lidhur me përparimin e negociatave midis Uashingtonit dhe Teheranit”, shtoi ai.
Një memorandum mirëkuptimi midis Uashingtonit dhe Teheranit, nën ndërmjetësimin e Pakistanit, hyri në fuqi më 18 qershor, pasi u nënshkrua elektronikisht nga presidenti iranian, Masoud Pezeshkian dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Ai ofron një kornizë për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të adresuar çështjet e pazgjidhura midis Uashingtonit dhe Teheranit përmes negociatave, duke përfshirë ndërprerjen e armiqësive, lehtësimin e sanksioneve, dosjen bërthamore, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe marrëveshje më të gjera rajonale të sigurisë.
