Italia po përgatitet të ripozicionojë dy anije minapastruese më afër Ngushticës së Hormuzit si masë paraprake, pa kërkuar një mision të ri ushtarak, thanë ministrat Antonio Tajani dhe Guido Crosetto në parlament.
Crosetto tha se lëvizja do të bëhet në faza brenda misioneve ekzistuese: fillimisht në Mesdheun lindor e më pas në Detin e Kuq. “Si një masë thjesht paraprake… po organizojmë që anijet minapastruese të pozicionohen relativisht më afër ngushticës”, tha ai, citon Anadolu.
Tajani theksoi se Italia nuk po zgjeron rolin ushtarak në Gjirin Persik dhe nuk do të kërkojë një mision të ri: “Ne nuk duam të kërkojmë autorizimin e një misioni të ri ushtarak në Gjirin Persik”.
Crosetto shtoi se çdo operacion i ri do të kërkonte armëpushim, kuadër ligjor dhe miratim parlamentar: “Një mision i ri ushtarak parashikon së pari një armëpushim të vërtetë, pastaj një kuadër ligjor dhe së fundmi autorizimin e Parlamentit”.
Ministrat thanë se masa është parandaluese dhe në koordinim me përpjekjet ndërkombëtare për sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, ku po shqyrtohet një përgjigje shumëkombëshe me pjesëmarrjen e dhjetëra vendeve.
